Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump thumbuan njëri-tjetrin dhe shkëmbyen një mori pretendimesh të rreme gjatë debatit të parë presidencial për zgjedhjet e vitit 2024.
Zoti Trump i shtrembëroi faktet e sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit duke thënë se aty morën pjesë një numër relativisht i vogël njerëzish, që u drejtuan atje nga policia dhe bëri një deklaratë të pasaktë rreth qëndrueshmërisë së ekonomisë gjatë kohës së qeverisjes së tij.
Zoti Biden, i cili ka prirje të ekzagjerojë dhe të zbukurojë, më shumë se të gënjejë, bëri deklaratë të pasaktë për çmimin e insulinës dhe zmadhoi deklaratat e zotit Trump rreth përdorimit të preparateve dezinfektuese për COVID-in.
Më poshtë një vështrim rreth pretendimeve të rreme dhe informacionit të pasaktë që bën dy kandidatët gjatë debatit presidencial.
___
6 Janari
TRUMP: “Flitet për një numër relativisht të vogël njerëzish që shkuan në Kapitol dhe që në shumë raste u drejtuan për atje nga policia.”
FAKTET: E pavërtetë. Sulmi në Kapitol ishte sulmi më i përgjakshëm ndaj institucionit amerikan në 200 vitet e fundit. Siç është dokumentuar nga video-regjistrimet, fotografitë dhe dëshmitarët e pranishëm, mijëra njerëz shkuan tek Kapitoli, duke e shndërruar atë në një skenë përleshjesh me policinë.
Sipas një dokumenti të brendshëm që mban datën e 7 marsit, 2023, shefi i policisë në Kapitol J. Thomas Manger deklaroi se pretendimet që “oficerët tanë kanë ndihmuar protestuesit duke vepruar si ‘ciceronë’ janë “fyese dhe të rreme.” Një zëdhënës i policisë së Kapitolit konfirmoi vërtetësinë e dokumentit për agjencinë e lajmeve Associated Press. Mbi 850 njerëz kanë pranuar fajësinë për krimet dhe 200 të tjerë janë gjykuar dhe dënuar.
___
TRUMP, për Kryetaren e atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi më 6 janar: “Unë i ofrova asaj 10,000 ushtarë të Gardës Kombëtare dhe ajo i refuzoi.”
FAKTET: Zonja Pelosi nuk i dha urdhër Gardës Kombëtare. Për më shumë, ndërkohë që po sulmohej Kapitoli, ajo dhe udhëheqësi i atëhershëm i shumicës në Senat, Mitch McConnell kërkuan ndihmë ushtarake, përfshirë nga Garda Kombëtare.
Bordi i policisë së Kapitolit është autoriteti që vendos nëse duhen thirrur trupat e Gardës Kombëtare në Kapitol. Ai përbëhet nga Rreshteri i Dhomës së Përfaqësuesve, Rreshteri i Senatit dhe Arkitekti i Kapitolit. Bordi mori vendim të mos e thërriste Gardën para sulmit ndaj Kapitolit, por kërkoi ndihmë pas kishin filluar trazirat dhe trupat erdhën disa orë më vonë.
Rreshteri i Dhomës së Përfaqësuesve i raporton zonjës Pelosi dhe Rreshteri i Senatit i raporton zotit McConnell. Nuk ka prova që zonja Pelosi apo zoti McConnell t’u kenë thënë zyrtarëve të sigurisë të mos e thërrisnin gardën paraprakisht. Zëdhënësi i atëhershëm i zonjës Pelosi, Drew Hammill, pas sulmit tha se zonja Pelosi kurrë nuk është njoftuar për një kërkesë të tillë.
___
Taksat dhe rregulloret
TRUMP, për zotin Biden: “Ai do t’ua katërfishojë taksat.”
FAKTET: Nuk është e saktë.
Zoti Trump e ka bërë këtë deklaratë në tubime zgjedhore, por nuk është e mbështetur në fakte. Zoti Biden në fakt dëshiron të parandalojë rritjen e taksave për ata që fitojnë më pak se 400,000 dollarë, ku hyjnë shumica e gjerë e taksapaguesve.
Është e rëndësishme të theksohet se propozimi për buxhetin i zotit Biden nuk parashikon rritjen e taksave siç pretendon zoti Trump, ndonëse rritja është e përqendruar tek korporatat dhe të pasurit. Shkurtimet e taksave të miratuara nga zotit Trump skadojnë pas vitit 2025, sipas ligjit të miratuar në kohën kur ai ishte president.
___
TRUMP, duke iu referuar 6 janarit të vitit 2021, ditës kur përkrahësit e tij sulmuan Kapitolin në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së zotit Biden: “Më 6 janar ne kishim shkallën më të ulët të taksave. Kishim shkallën më të ulët të rregulloreve në histori më 6 janar.”
FAKTET: Tatimi i tanishëm federal mbi të ardhura ka hyrë në fuqi për herë të parë në vitin 1913 dhe norma e tatimit është luhatur dukshëm që atëherë. Normat më të ulëta ishin në vitet 1920, pak para Depresionit të Madh. Zoti Trump ka ulur taksat gjatë qeverisjes së tij, por normat nuk kanë qënë më të ulëtat në histori.
Rregulloret qeveritare po ashtu janë luhatur gjatë historisë së vendit, por përgjithësisht ka patur rritje në numrin e rregulloreve krahas modernizimit të vendit dhe rritjes së popullatës. Tani ka më shumë rregullore për çështjet e ambientit, punësimit, shkëmbimeve financiare dhe aspekteve tjera të përditshmërisë. Ndonëse zoti Trump ka shfuqizuar disa rregullore, ai nuk e ka kthyer shtetin në kohët e shkuara, kur kishte më pak rregulla.
___
Insulina
BIDEN: “Një injeksion i insulinës kushton 15 dollarë, e jo 400.”
FAKTET: Nuk është e saktë. Çmimi tavan i insulinës për amerikanët e moshuar, që janë të mbuluar nga sigurimi shëndetësor Medicare, është 35 dollarë bazuar në Vendimit për Uljen e Inflacionit të viti 2022, të miratuar nga Presidenti Biden. Ky çmim tavan hyri në fuqi vitin e kaluar, kur shumë nga prodhuesit e barnave njoftuan se do ta ulin çmimin e ilaçit në 35 dollarë për shumicën e përdoruesve që kanë sigurime shëndetësore private. Por zoti Biden rregullisht e ekzagjeron që njerëzit në të kaluarën kanë paguar deri në 400 dollarë në muaj. Pacientët me diabet, që kanë sigurimin shëndetësor Medicare, apo sigurim privat shëndetësor paguanin rreth 450 dollarë në vit para se të hynte në fuqi ligji, sipas një studimi të publikuar nga Departamenti Shëndetësor në dhjetor të vitit 2022.
___
Ndryshimet klimatike
TRUMP, duke lavdëruar arritjet e tij në çështjet e ambientit, tha se “gjatë katër viteve të qeverisjes sime, kisha treguesit më të mirë mbi çështjet e ambientit” dhe se ai mbështet ajrin dhe ujin “e pastër.”
FAKTET: Larg pasqyrës së plotë të gjendjes. Gjatë presidencës së tij, zoti Trump shfuqizoi disa nene të Vendimit për Ujë të Pastër, lehtësoi rregullat ndaj kompanive të qymyrit, naftës dhe gazit dhe i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja klimatike e Parisit. Kur zjarret goditën Kaliforninë në vitin 2020, zoti Trump hodhi poshtë konsensusin shkencor që zjarret ishin pasojë e ndryshimeve klimatike. Zoti Trump po ashtu i ka hedhur poshtë paralajmërimet e shkencëtarëve rreth ndryshimeve klimatike dhe vazhdimisht ka propozuar shkurtime të thella në Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit. Shkurtime u bllokuan nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë.
___
Aborti
TRUMP: “Problemi është se ata janë radikalë ngaqë do të merrnin jetën e një fëmije në muajin e tetë, muajin e nëntë madje edhe pas lindjes.”
FAKTET: Zoti Trump bëri deklaratë të pasaktë kur iu referua aborteve pas lindjes. Vrasja e foshnjeve është vepër penale në të gjitha shtetet dhe asnjë shtet nuk ka miratuar ndonjë ligj që lejon vrasjen e foshnjës pas lindjes.
Aktivistët për të drejtat e abortit thonë se ky emërim dhe fjalitë e tipit “aborte në fazën e vonshme (të shtatzënisë)” janë përpjekje për të stigmatizuar abortet që bëhen në fazën e vonshme të shtatzënisë. Abortet e tilla janë shumë të rralla. Në vitin 2020, më pak se 1 për qind e aborteve në Shtetet e Bashkuara janë kryer në ose pas javës së 21 të shtatzënisë, sipas Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Abortet në shtatzëninë e vonshme janë gjithashtu kryesisht rezultat i komplikimeve serioze, siç janë anomalitë në fetus, që rrezikojnë jetën e nënës apo të fetusit, sipas ekspertëve mjekësorë. Në të shumtën e rasteve, këto janë raste të shtatzënive të dëshiruara, sipas ekspertëve.
___
Rusia
TRUMP mbi gazetarin e të përditshmes Wall Street Journal Evan Gershkovich, i cili u arrestua në Rusi: “Ai do të duhej të ishte liruar para shumë kohësh, por sigurisht Putini po kërkon miliarda dollarë ngaqë ky njeri paguan çdo herë.”
FAKTET: Zoti Trump e ka gabim kur deklaron se zoti Biden paguan “çdo herë” për të siguruar lirimin e pengjeve dhe amerikanëve të arrestuar pa të drejtë. Po ashtu nuk ka asnjë provë të vetme që zoti Putin po kërkon para për lirimin e gazetarit Gershkovich. Ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë administratës së zotit Trump, marrëveshjet gjatë administratës së zotit Biden, përmes të cilave është siguruar lirimi i disa pengjeve dhe të arrestuarve, përfshijnë shkëmbime të të burgosurve – dhe jo transferime parash.
Referenca e zotit Trump për para duket se ka të bëjë me marrëveshjen e vitit 2023 përmes të cilës Shtetet e Bashkuara siguruan lirimin e pesë amerikanëve të arrestuar në Iran pasi fondet e ngrira iraniane me vlerë prej miliarda dollarësh u vendosën në llogari bankare për përdorim të kufizuar dhe mund të përdoreshin vetëm për çështje humanitare, siç janë ilaçet dhe ushqimi.
___
COVID-19
BIDEN: Zoti Trump u tha amerikanëve “të injektojnë preparat pastrimi dezinfektues” për të trajtuar COVID-19.
FAKTET: Ky është një ekzagjerim. Në fakt, zoti Trump ka pyetur nëse është e mundur të injektohet dezinfektuesi në mushkëri.
“Dezinfektuesi e shkatërron (virusin) brenda një minute”, deklaroi zoti Trump në një konferencë shtypi në prill të vitit 2020. “A ka mënyrë që ta bëjmë një gjë të tillë, duke injektuar brenda, apo afër një (preparat) pastrimi, ngaqë virusi hyn në mushkëri dhe i dëmton mushkëritë, andaj do të ishte interesant ta shqyrtojmë këtë mundësi, duhet që mjekët ta bëjnë një gjë të tillë, por më duket interesant. I tërë ky koncepti i dritës, mënyra se si e shkatërron brenda një minute. Është shumë e fuqishme.”
___
Emigrantët
TRUMP, duke iu referuar zotit Biden: “Është ai që vrau njerëzit me një kufi të keq duke lejuar vërshimin e qindra mijëra njerëzve që vdesin dhe që gjithashtu vrasin njerëzit tanë kur vijnë këtu.”
FAKTET: Fluksi masiv i emigrantëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme përmes kufirit jugor ishte një çështje për të cilën zoti Trump bëri një mori pretendimesh të rreme dhe të gabuara. Për shembull, ai vazhdimisht pohon se shtetet e tjera po zbrazin burgjet dhe institucionet e tyre të shëndetit mendor për t’i dërguar ata në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka prova për ta mbështetur këtë pretendim.
Zoti Trump ka argumentuar gjithashtu se fluksi i emigrantëve po shkakton rritje të kriminalitetit në Shtetet e Bashkuara, ndonëse statistikat tregojnë se kriminaliteti i dhunshëm është në rënie e sipër.
Kohët e të fundit janë shënuar krime të rënda që pretendohet se janë kryer nga njerëz që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme. Por statistikat e Byrosë Federale të Hetimeve, FBI, nuk i klasifikojnë krimet në bazë të statusit të emigracionit të autorëve të tyre dhe nuk ka asnjë provë të rritjes së numrit të krimeve që janë kryer nga emigrantët, qoftë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë apo në qytetet që po përballen me fluksin më të madh të tyre, siç është Nju Jorku. Sipas gjetjeve të studimeve, njerëzit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa dokumente ka më pak gjasa se amerikanët e lindur në Shtetet e Bashkuara të arrestohen për krime të dhunshme, drogë apo krime ndaj pronave. Për më shumë se një shekull, kritikët e emigracionit janë përpjekur t’i lidhin të ardhurit rishtazi me krimet. Në vitin 1931, Komisioni Wickersham nuk gjetën ndonjë provë që mbështet lidhjen ndërmjet emigracionit dhe rritjes së shkallës së kriminalitetit dhe shumë studime që atëhere kanë arritur në përfundime të ngjashme.
Teksasi është i vetmi shtet që i regjistron krimet në bazë të statusit të emigracionit. Një studim i botuar në vitin 2020 nga Akademia Kombëtare e Shkencave gjeti një “shkallë dukshëm më të ulët të veprave penale” në mesin e njerëzve që po qëndronin jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara krahasuar me emigrantët e ligjshëm ose ata që kanë lindur këtu.
Një shkallë kriminaliteti është e pritshme duke marrë parasysh numrin e madh të emigrantëve. Në vitin 2021 llogaritet se ishin rreth 10.5 milionë njerëz pa dokumente në vend, sipas Qendrës për Hulumtime Pew, një numër që gjithsesi është rritur për shkak të fluksit në kufi. Në vitin 2022, Byroja e Regjistrimit të Popullatës llogariti që numri i popullsisë së lindur jashtë vendit ishte 46.2 milionë, apo rreth 14 për qind e popullsisë së përgjithshme dhe se shumica e shteteve kanë përjetuar rritje dyshifrore të shprehur në përqindje në disa dekadat e fundit.
___
Charlottesville
BIDEN, duke iu referuar zotit Trump pas tubimit të përgjakshëm të nacionalistëve të bardhë në Charlottesvile të Virxhinias, në vitin 2017: “Ky që thoshte se mendon që në të dyja anët ka njerëz të mirë.”
FAKTET: Zoti Trump i përdori këto fjalë për të përshkruar pjesëmarrësit e një tubimi të përgjakshëm, që ishte planifikuar nga nacionalistët e bardhë. Por siç kanë thënë përkrahësit e zotit Trump, ai gjithashtu kishte thënë atë ditë se nuk po fliste për neo-nazistët dhe nacionalistët e bardhë që ishin të pranishëm.
“Në atë grup kishte edhe disa njerëz shumë të këqij,” deklaroi zoti Trump gjatë konferencës për shtyp disa ditë pas tubimit, “por po ashtu kishte edhe njerëz që ishin njerëz shumë të mirë, në të dyja anët.”
Më pas ai tha se nuk po fliste për “neo-nazistët dhe nacionalistët e bardhë, ngaqë ata duhet dënuar plotësisht.” Por, sipas tij, mediat ishin të padrejta në trajtimin që u bënin personave që ishin aty për të protestuar ligjërisht dhe pa djallëzi ndaj heqjes së statujës së Gjeneralit të Konfederatës Robert E. Lee.
Tubimi i planifikuar nga nacionalistët e bardhë që shpërtheu në kaos, tronditi vendin: përleshje të dhunshme nëpër rrugë, brohoritje raciste dhe anti-semite, bomba tymuese dhe një makinë që me shpejtësi u fut në turmën e një kundër-proteste, duke shkaktuar një të vdekur dhe dhjetëra të lënduar.
___
Ekonomia
TRUMP: “Kishim ekonominë më të mirë në histori”
FAKTET: Kjo nuk është e saktë. Fillimisht, pandemia shkaktoi një tkurrje masive të ekonomisë gjatë presidencës së tij. Qeveria mori hua 3.1 trilionë dollarë në vitin 2020 për të stabilizuar ekonominë. Zoti Trump pati fatkeqësinë që të largohet nga Shtëpia e Bardhë me më pak vende pune të krijuara se kur filloi mandatin.
Por edhe po u hoqën nga analiza pasojat e pandemisë, rritja mesatare ekonomike ishte 2.67 për qind gjatë tre viteve të para të zotit Trump. Situatë e qëndrueshme, por nuk është as afër mesatares prej 4 për qind gjatë dy mandatave të Presidentit Bill Clinton nga viti 1993 deri në vitin 2001, sipas Byrosë për Analiza Ekonomike. Në fakt, rritja aktuale ekonomike është më e fuqishme nën Presidentin Biden sesa nën Presidentin Trump.
Shkalla e papunësisë gjatë presidencës së zotit Trump shënoi rënie deri në 3.5 për qind para pandemisë. Por megjithatë, grup-mosha 25-54 vjeç – që përbën shumicën e fuqisë punëtore në SHBA ishte më e lartë gjatë presidencës së zotit Clinton, po ashtu ajo është më e lartë edhe gjatë mandatit të zotit Biden, se sa gjatë presidencës së zotit Trump.
Zoti Trump po ashtu ka dëshirë të flasë për shkallën e ulët të inflacionit gjatë qeverisjes së tij. Çmimi i karburantit kishte shënuar rënie deri ne 1.77 dollarë për gallon. Por, natyrisht, rënia e çmimit ndodhi gjatë izolimit për shkak të pandemisë kur pak njerëz përdornin makinat. Çmimet e ulëta ishin pasojë e krizës globale shëndetësore, jo e politikave të zotit Trump.
Zbritje të ngjashme pësuan edhe normat e huave 30-vjeçare, të cilat u ulën në 2.65 për qind gjatë pandemisë. Këto norma të ulëta ishin pasojë e përpjekjeve të Rezervave Shtetërore për të nxitur ekonominë e dobët dhe jo shenjë e fuqisë së saj, siç pretendon aktualisht zoti Trump.
___
Vdekjet e ushtarëve
BIDEN: “E vërteta është se jam i vetmi president në këtë shekull – në këtë dekadë – që nuk i kanë vdekur ushtarët nëpër botë si (vdiqën) gjatë mandatit tënd.”
FAKTET: Të paktën 16 ushtarë janë vrarë në luftime që kur zoti Biden u bë president në janar të vitit 2021. Më 26 gusht të vitit 2021, 13 ushtarë u vranë në një sulm vetëvrasës me bombë në aeroportin ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, gjatë tërheqjes së forcave amerikane nga Afganistani. Më 28 janar të këtij viti, një dron armiku vrau tre ushtarë amerikanë në një bazë ushtarake në shkretëtirë, në Jordani.
___
Trashëgimia Presidenciale
BIDEN: “159, ose 58, nuk e di numrin e saktë, historianë presidencialë janë takuar dhe kanë votuar se cili është presidenti më i keq në historinë amerikane... Ata thanë se ai (Trumpi) ishte më i keqi në historinë amerikane. Është fakt. Nuk është hamendje.”
FAKTET: Përafërsisht e saktë, por jo plotësisht. Anketa në fjalë, një projekt i profesorëve nga Universiteti i Hjustonit dhe Universiteti i Karolinës Bregdetare, përfshiu 154 përgjigje të përdorshme nga 525 të anketuar që ishin ftuar të marrin pjesë në anketë.
___
Protestat për George Flloyd
TRUMP, mbi protestat në Mineapolis pas vrasjes së George Flloyd-it: “Po të mos e kisha dërguar Gardën Kombëtare, qyteti do ishte shkatërruar.”
FAKTET: Zoti Trump nuk e dërgoi Gardën Kombëtare në Mineapolis gjatë trazirave pas vdekjes së George Floyd-it. Guvernatori i Minesotës, Tim Walz e dërgoi Gardën Kombëtare në këtë qytet.