Lidhje

Zelenskyy, thirrje udhëheqësve të BE-së që të përmbushin premtimin për ndihmë ushtarake


Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy, left, and European Council President Charles Michel speak with the media as they arrive for an EU summit in Brussels, June 27, 2024.
Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy, left, and European Council President Charles Michel speak with the media as they arrive for an EU summit in Brussels, June 27, 2024.

Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian të enjten që të përmbushin premtimet e tyre për të ofruar pajisje ushtarake për vendin e tij të shkatërruar nga lufta, ndërsa blloku u zotua të mbështesë Kievin në aspektin afatgjatë.

“Përmbushja e çdo premtimi është një gjë e rëndësishme, jo vetëm në drejtim të mbrojtjes së njerëzve, por edhe për të shkatërruar iluzionin rus se ata do të mund të arrijnë diçka me luftë”, u tha presidenti Volodymyr Zelenskyy udhëheqësve evropianë në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel.

Forcat ruse po përpiqen të shfrytëzojnë avantazhin e tyre në numrin e trupave dhe armatim përpara se forcat e armatosura të Ukrainës të përforcohen nga ndihma e re ushtarake e premtuar nga vendet perëndimore, një pjesë e së cilës ka filluar të shfaqet në vijën e frontit në formë të pajisjeve dhe municioneve, thonë analistët.

Presidenti Zelenskyy falënderoi vendet që kanë premtuar pajisje, armë dhe municione, por nënvizoi se “ne kemi nevojë urgjente për armë në fushën e betejës”. Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë ndihmë urgjente në fushën e "mbrojtjes ajrore".

Presidenti Zelenskyy dhe udhëheqësit e BE-së nënshkruan një dokument 12 faqesh të "angazhimeve të përbashkëta të sigurisë" ndaj njëri-tjetrit. Në thelb, ai përmbledh atë që blloku 27-vendesh ka bërë për Kievin në aspektin e ndihmës financiare, ushtarake dhe të tjera që kur forcat ruse filluan sulmin në shkallë të gjerë në shkurt 2022.

Bashkimi Evropian, nga ana e tij, angazhohet për "sigurimin e parashikueshëm, efikas, të qëndrueshëm dhe afatgjatë të pajisjeve ushtarake", ndihmës në fushat e trajnimit ushtarak dhe ndërtimit të sektorit të mbrojtjes së Ukrainës, plus rritjen e bashkëpunimit mbi kërcënimet kibernetike dhe hibride, si manipulimi i infromacioneve dhe përhapja e propagandës.


BE gjithashtu u zotua të ndihmojë me pastrimin e minave, sigurinë dhe reformat në fushën e zbatimit të ligjit, sigurinë energjetike dhe sigurinë bërthamore, si dhe ndihmën për rindërtimin e infrastrukturës, spitaleve dhe ndërtesave të shkatërruara të Ukrainës, dhe të mbajë përgjegjës ata që dyshohen për krime lufte.

Ukraina premtoi të mbështesë vlerat evropiane dhe të vazhdojë rrugën e saj të reformave në përgatitje për t'u bërë anëtare e BE-së, duke përfshirë sigurimin e kontrollit civil mbi forcat e saj të sigurisë dhe ushtrinë. Kievi gjithashtu u zotua të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në mënyrën se si e shfrytëzon ndihmën e BE-së.

Disa vende kanë tashmë marrëveshje të ngjashme dypalëshe me Ukrainën, që ofrojnë angazhim afatgjatë për të ndihmuar Kievin, duke përfshirë edhe përpjekjen për përfundimin e luftës me Rusinë. Zelenskyy dhe Presidenti amerikan Joe Biden nënshkruan një pakt të tillë në fillim të këtij muaji, i cili do të zbatohet gjatë dekadës së ardhshme.

Këtë javë Ukraina gjithashtu filloi negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një dekadë pasi trupat ruse pushtuan Gadishullin e Krimesë në përpjekje për të penguar afrimin e Kievit me Perëndimin, pjesë e një zinxhiri ngjarjesh, që çuan në fillimin e luftës Rusi-Ukrainë.

“Ne e kemi pritur këtë për një periudhë të gjatë kohore”, u tha Zelenskyy gazetarëve, duke falënderuar BE-në për nënshkrimin e paktit.

Bashkimi Evropian është i shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit në Ukrainë dhe kjo duhet korrigjuar përpara anëtarësimit të vendit në BE. Procesi i anëtarësimit ka të ngjarë të zgjasë disa vjet.

XS
SM
MD
LG