Lidhje

Dron nënujor për të studiuar brezin masiv koralor të Australisë 


Dron nënujor
Dron nënujor

Një dron nënujor po përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar në vëzhgimin e brezit të madh koralor të Australisë që po zbardhet si rezultat i ngrohjes së oqeaneve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell, hulumtuesit po ndjekin nga afër procesin e zbardhjes së koraleve në ekosistemin më të gjerë të shkëmbinjve nënujorë në botë. Kur uji është shumë i ngrohtë, algat që jetojnë brenda koraleve, largohen duke bërë që koralet të zbardhen.

Dron nënujor për të studiuar brezin masiv koralor të Australisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Një dron nënujor, i quajtur Hydrus, po përdor inteligjencën artificiale për të studiuar shkëmbinjtë koralor. Brezi i madh koralor i Australisë po përjeton një ndryshim të ekosistemit, që ka çuar në zbardhjen e tij si rezultat i ngrohjes së oqeanit.

Shkencëtarët po përdorin dronin nënujor për të kuptuar me përpikmëri më të lartë ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Melanie Olsen drejton programin “ReefWorks” në Institutin Australian të Shkencave Detare.

“Ekipet e zhytjes janë të kufizuara se sa thellë mund të shkojnë. Kështu që po përdorim mjetet robotike për të marrë mostra në thellësi të oqeanit, për të patur qasje atje ku jeta e njeriut rrezikohet nga krokodilët, peshkaqenët dhe gjallesa të tjera”.

Droni Hydrus funksionon në mënyrë autonome në një distancë prej më shumë se 8 kilometra në tre orë. Mund të zhytet deri në 3 mijë metra dhe ka një kamera me qartësi të lartë 4k.

I pajisur me sonar, navigimi i dronit bëhet përmes inteligjencës artificiale. Peter Baker, me firmën “Advanced Navigation”, thotë se droni po ndërton një hartë 3-D të shkëmbinjve koralorë.

“Në bashkëpunim me Institutin Australian të Shkencave Detare po krijojmë hartën koralore. Hartat koralore do të ndihmojnë për të zbuluar ndryshimet që do të shërbejnë për krijuar modelet e të gjithë brezit koralor. Droni shkon me përpikmëri disa herë në të njëjtin vend dhe merr foto nga i njëjti pozicion me saktësi të lartë, çka është shumë e vështirë të realizohet nga zhytësit”.

Që nga viti 1998, brezi koralor ka shënuar gjashtë raste të zbardhjes. Nëse ujërat freskohen, koralet e zbardhura mund ta marrin veten. Por nëse temperaturat e oqeanit mbeten të larta për një kohë të gjatë, koralet mund të zhduken. Shkencëtarët thonë se zbardhja e koraleve është e lidhur me ndryshimet klimatike.

XS
SM
MD
LG