Lidhje

Rikthehet qetësia në Bolivi pas dështimit të grusht-shtetit


Gjendja në Bolivi sot është e qetë pas arrestimit të ish Komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura që udhëhoqi një sulm kundër pallatit presidencial. Presidenti Luis Arce e quajti sulmin një përpjekje për grusht-shtet. Një nga momentet më dramatike, të regjistruar nga dëshmitarët në vendngjarje, përfshin përballjen e Presidentit me ish Gjeneralin Zuniga në një nga korridoret e pallatit presidencial, ndërsa vazhdonin trazirat. Trazirat e të mërkurës në Bolivi janë dënuar nga udhëheqës të Amerikës Latine të cilët i kanë ofruar përkrahje Presidentit Luis Arce ndërsa vendi po përballet me krizë ekonomike.

Rikthehet qetësia në Bolivi pas dështimit të grusht-shtetit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Banorët e Bolivisë thonë se janë të bashkuar duke i ofruar mbështetje Presidentit Luis Arce, një ditë pasi forcat e armatosura u tërhoqën nga pallati presidencial në La Paz.

Komandanti i forcave të armatosura, Jose Juan Zunega u arrestua pasi u akuzua nga Presidenti për një përpjekje për grusht-shtet.

Veç gjeneralit Zunega, autoritetet arrestuan edhe Juan Arnez Salvadorin, ish-komandant i Marinës Boliviane i cili gjithashtu akuzohet se mori pjesë në këtë përpjekje për grusht-shtet. Sipas mediave lokale mbi 10 oficerë ushtarakë gjithashtu janë arrestuar.

“Ne jemi tërësisht të bashkuar. Dita e djeshme na ka forcuar. I gjithë populli bolivian është më i bashkuar se kurrë”, thotë Alicia Chura, banore e La Pazit.

Një ditë më parë, një video e regjistruar nga dëshmitarët në vendngjarje tregonte një automjet të blinduar duke çarë dyert e pallatit dhe ushtarët që futeshin brenda.

Një nga momentet më dramatike ishte përballja e Presidentit Luis Arce me komandantin Zuniga, në një nga korridoret e pallatit. Në videon e regjistruar me telefon celular, Presidenti Arce dëgjohet duke u zotuar se do të qëndronte i vendosur kundër përpjekjeve për ta larguar. Më vonë ai emëroi një komandant të ri të ushtrisë, i cili urdhëroi trupat të largoheshin.

Pas dështimit të përpjekjes, Presidenti iu drejtua masës së mbledhur nga ballkoni i pallatit presidencial.

"Ata donin të na befasonin dhe të befasonin popullin bolivian. Ne kemi reaguar dhe njerëzit e mobilizuar na kanë mundësuar të ndalojmë këtë përpjekje për grusht shteti. Faleminderit popull bolivian”, tha Presidenti Luis Arce.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se ndërsa vazhdonin trazirat ish Gjenerali Zuniga nuk tha asnjëherë se po drejtonte një grusht-shtet. Sa ishte në pallatin presidencial, ai tha se ushtria po përpiqej të “rikthente demokracinë dhe të lironte të burgosurit politikë”.

Megjithatë, pas dështimit të përpjekjeve për grusht-shtet, ndërsa qëndronte në rrugë, ish Gjenerali Zuniga tha se vetë Presidenti Arce ia kishte kërkuar të sulmonte pallatin presidencial.

“Presidenti më tha: ‘Situata është shumë e ndërlikuar; kjo javë do të jetë kritike, kështu që është e nevojshme të përgatit diçka për të rritur popullaritetin tim’. Unë e pyeta: A t’i nxjerrim mjetet e blinduara? Presidenti Arce tha nxirrni ato”, deklaroi ish Gjenerali Zuniga.

Pas kësaj deklarate ai u arrestua.

Udhëheqësit e Amerikës Latine i dënuan trazirat e sotme duke i ofruar mbështetje Presidentit Luis Arce.

“Duke qenë se jam dashamirës i demokracisë, dua që demokracia të mbizotërojë në Amerikën Latine. Një grusht shteti nuk ka funksionuar kurrë”, tha Presidenti brazilian Lula da Silva.

Bolivia, një vend me 12 milionë banorë, është përballur me protesta të intensifikuara në muajt e fundit për shkak të krizës ekonomike.

Tensionet në Bolivi janë shtuar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG