Lidhje

Serbia ndalon festivalin “Mirëdita Dobar dan” në Beograd


Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, tha se ministria e tij urdhëroi “ndalimin e tubimeve publike në kuadër të festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan”, një veprimtari dhjetëvjeçare që synon nxitjen e bashkëpunimit kulturor dhe dialogut mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ministri Daçiç tha se urdhri u lëshua për shkak të “rrezikimit të sigurisë së njerëzve dhe pasurisë, si dhe rrezikut për prishjen e rendit dhe qetësisë publike në përmasa më të mëdha”.

Hapja e festivalit është planifikuar për sonte (27 qershor) në orën 18:30 në Beograd në zonën e njohur si Sheshi Dorçol, por disa orë para hapjes, një grup i madh aktivistësh të krahut të djathtë u mblodhën duke penguar hyrjen në atë hapësirë, duke valëvitur flamujt serbë, duke brohoritur kundër pavarësisë së Kosovës dhe duke kënduar këngë nacionaliste.

Ndonëse nga organizatorët shihet si një zhvillim që synon shkëmbimin e veprimtarive artistike si mjet për nxitjen e pajtimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje paqësore në vendet e Ballkanit Perëndimor, për disa politikanë në pushtet në Serbi, festivali paraqet një ngjarje me “rrezikshmëri të lartë” dhe kishin kërkuar që më parë anulimin e tij.

Organizatori i festivalit, grupi Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, tha se policia serbe ka shkelur kushtetutën, ligjet e vendit dhe ato evropiane:

“Është detyrë themelore e shtetit të sigurojë të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj dhe të sanksionojë të gjithë ata që kufizojnë ose shkelin këto liri dhe të drejta të qytetarëve”, thuhet në reagim, në të cilin nënvizohet se “duke ndaluar festivalin, MPB-ja dhe Qeveria e Serbisë treguan edhe një herë se liria e tubimit vlen vetëm për grupet e huliganëve.

Veprimtarja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç shkroi se më ndalimin e festivalit “Serbia dhe institucionet e saj u rreshtuan në krah të huliganëve dhe errësirës më të thellë etno-nacionaliste. Nuk mund të ketë më debat për pajtimin apo protestë kundër madhërimit të kriminelëve të luftës në Serbi. Një vrimë e zezë”, shkroi ajo në rrjetin X.

Festivali ishte planifikuar fillimisht të mbahej me 28 qershor, por organizatorët thanë se ai do të mbahet në datat 27 dhe 29. Në të kaluarën, organizatorët ishin cak i kërcënimeve nga organizatat ekstremiste. Pavarësisht kësaj, festivali u mbajt në Beograd, ndonjëherë me një prani të madhe të forcave policore në qendër të kryeqytetit serb dhe me incidente sporadike midis forcave të sigurisë dhe protestuesve të së djathtës së skajshme serbe.

Festivali “Mirëdita, Dobar dan” që organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi në bashkëpunim edhe me organizata nga Kosova nisi në vitin 2014 dhe ofron filma, ekspozita dhe organizon debate për të afruar serbët dhe shqiptarët, thellësisht të ndarë që nga lufta e viteve 1998 - 1999.

XS
SM
MD
LG