Lidhje

Abuzime me të sëmurët me tumor, të përfshirë mjekë e personel i Onkologjikut në Tiranë


Spitali Onokologjik në QSUT
Spitali Onokologjik në QSUT

Në Tiranë, Prokuroria njoftoi sot se kishte zbuluar një skemë abuzimi me pacientët e sëmurë me tumor, të cilët transferoheshin nga spitali shtetëror në klinika private, për qëllime përfitimi. Të paktën 5 mjekë dhe specialistë të Spitalit Onkologjik në Qendrën universitare Nënë Tereza, QSUT, në Tiranë, si dhe dy administratorë të një spitali privat dhe një depoje farmaceutike, u vunë në arrest shtëpie ose me masën detyrim paraqitje pasi dyshohen të jenë përfshirë në këtë skemë. Mes tyre dhe zëvendës drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi.

Përmes formash të ndryshme, ata u mohonin pacientëve trajtimin në spitalin onkologjik, duke i orientuar t’i drejtoheshin një klinike private, pasi ua paraqisnin gjendjen shëndetësore si tejet alarmante dhe urgjente, apo duke u krijuar pengesa artificiale në spitalin shtetëror.

Hetimet që çuan në zbulimin e kësaj skeme, e patën zanafillën te një tjetër rast i mëhershëm i sekuestrimit të barnave, personave të ndaluar. Në atë kohë, u vu re, se disa prej barnave ishin medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë. Prokuroria bën të ditur se ka dokumentuar "raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat i tregtonin këto medikamente, pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave".

Hetimet kanë zbuluar po ashtu se aparatura e radio-terapisë, e instaluar në spitalin shtetëror që prej vitit 2021 nuk ishte shfrytëzuar, por "ishte lënë dhe në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që ajo emeton. Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike”, vë në dukje prokuroria.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, foli për “një ngjarje të paprecedentë, që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve”, tha ajo duke kërkuar ndëshkimin e tyre pasi “këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”.

XS
SM
MD
LG