Rregullat e platformës së aplikacioneve “App Store” të kompanisë Apple shkelin rregullat e Bashkimit Evropian për teknologjinë, sepse ato pengojnë pronarët e aplikacioneve që t'i drejtojnë konsumatorët drejt ofertave alternative, thanë të hënën rregullatorët e BE-së. Ky vendim mund të rezultojë në një gjobë të lartë për prodhuesin amerikan të telofonave inteligjentë iPhone.
Komisioni Evropian, i cili merret edhe me zbatimin e ligjeve kundër monopolit dhe rregullatori për teknologjinë i Bashkimit Evropian, thanë se i kishin dërguar kompanisë Apple gjetjet paraprake pas një hetimi të nisur në mars.
Kjo është akuza e parë e këtij lloji nga BE bazuar në Ligjin e Tregjeve Dixhitale, i cili synon të frenojë fuqinë dhe monopolin e kompanive të mëdha teknologjike dhe të sigurojë një konkurrencë të barabartë për rivalët më të vegjël. BE ka afat deri në mars të vitit të ardhshëm për të nxjerrë një vendim përfundimtar për akuzat ndaj kompanisë Apple.
Shefja e BE-së për ligjet anti-monopol, Margrethe Vestager shpjegoi problemet me kushtet e reja të kompanisë Apple.
“Ne mendojmë se këto kushte të reja nuk i lejojnë krijuesit e aplikacioneve të komunikojnë lirshëm me përdoruesit e tyre dhe të lidhin kontrata me ta”, tha ajo në një konferencë për shtypin.
Komisioni Evropian tha se në shumicën e kushteve të përdorimit të platformave të saj, kompania Apple lejon daljen jashtë platformës vetëm nëse krijuesit e aplikacioneve përfshijnë një lidhje në aplikacionin e tyre, që i drejton klientët në një faqe interneti, ku ata mund të lidhin një kontratë biznesi.
Në hetimin e BE-së kritikohen gjithashtu tarifat e kompanisë Apple për krijuesit e aplikacioneve, që përdorin platformën e saj “App Store”, kur ata sigurojnë shërbimet e një klienti të ri, duke thënë se ato shkojnë përtej asaj që ishte rreptësisht e nevojshme për një kosto të tillë.
Apple tha se kishte bërë një sërë ndryshimesh në muajt e fundit për të qenë në përputhje me Ligjin mbi Tregjet Dixhitale të BE-së, pas reagimeve që kishte marrë nga prodhuesit e aplikacioneve dhe Komisioni Evropian.
“Ne jemi të sigurt se plani ynë është në përputhje me ligjin dhe vlerësojmë se më shumë se 99% e krijuesve të aplikacioneve do të paguajnë tarifa të njëjta ose më të vogla bazuar në rregullat e reja, që kompania Apple ka krijuar për shfrytëzimin e platformave të saj nga bizneset”, thanë zyrtarë të kompanisë përmes një emaili.
Zyrtarja e BE-së Margrethe Vestager tha se po hapte gjithashtu një hetim ndaj prodhuesit të telefonave iPhone lidhur me kërkesat e tij të reja kontraktuale për krijuesit e aplikacioneve të palëve të treta dhe dyqanet e aplikacioneve për të parë nëse ato janë të nevojshme dhe proporcionale.
Gjobat për shkeljen e Ligjit për Tregjet Dixhitale mund t'u kushtojnë kompanive deri në 10% të të ardhurave të tyre vjetore në nivel global.