Lidhje

Pesëmbëdhjetë muaj heqje lirie për sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë


Një gjykatë në Prishtinë dënoi të hënën me 15 muaj heqje lirie një pjesëtar të komunitetit serb për përfshirje në sulmin e 29 majit të vitit 2023 ndaj pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, që la pas vetes mbi 90 të plagosur nga radhët e ushtarëve të KFOR-it.

Gjykata tha se i akuzuari, të cilin mediat lokale e identifikuan si Nenad Orloviç, u dënua për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

Ai poashtu u dënua me 6 muaj të tjerë për veprën “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, thuhet në vendimin e gjykatës, në të cilin theksohet se ky dënim u zëvendësua me një gjobë prej 12 mijë eurosh.

I dënuari ishte arrestuar me 23 qershor të vitit 2023 dhe i mbeten edhe tre muaj për të përfunduar dënimin.

Në vendimin e gjykatës thuhet se me 29 maj të vitit 2023, “në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i akuzuari N.O në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kishin marr pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kishin sulmuar dhe kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit...”.

Dhuna shpërtheu ndërsa grupe qytetarësh serbë u hodhën në protestat kundër dërgimit të kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave veriore, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç dhe Mitrovicë e Veriut, pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit 2023 që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Deri tani dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me trazirat e dhunshme të 29 majit të vitit të kaluar, por një pjesë e tyre po mbrohen në gjendje të lirë.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës për shkak të tensioneve në veri, ndërsa i kërkoi plotësimin e disa kushteve për heqjen e tyre.

Qeveria u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual, i cili dështoi në muajin prill, për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

Javën e kaluar shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, u dorëzoi vendeve anëtare të BE-së një raport lidhur me përmbushjen e kushteve për heqjen e masave dhe burimet në Bruksel thanë se raporti propozon heqjen e tyre. Ende nuk ka një vendim për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG