Lidhje

Tre të vdekur nga sulmet në Khrarkiv ndërsa Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës


Të paktën tre persona u vranë si pasojë e sulmeve ruse në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, të shtunën pasdite, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Sipas kryebashkiakut të qytetit, Ihor Terekhov nga sulmi mbetën të plagosur 38 persona të tjerë. Katër bomba ajrore u hodhën mbi qytet, duke dëmtuar ndërtesat e banimit, dyqanet dhe stacionet e transportit publik, tha guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleh Syniehubov. Sipas tij, katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

“Ky terror rus me bomba ajrore me vetëdrejtim duhet dhe mund të ndalet. Nevojiten vendime të guximshme nga partnerët tanë në mënyrë që të mund të shkatërrojmë terroristët rusë dhe avionët luftarakë rusë aty ku janë”, shkroi zoti Zelenskyy në aplikacionin Telegram.

Presidenti Zelenskyy tha muajin e kaluar se Ukraina ka nevojë urgjente edhe për të paktën shtatë sisteme raketash Patriot për të shmangur sulmet ruse kundër rrjetit të energjisë elektrike dhe zonave civile, si dhe objektivave ushtarake.

Ndërkohë, Rusia kreu të shtunën sulme me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke dëmtuar objektet energjetike në juglindje dhe perëndim të vendit dhe duke plagosur të paktën dy punonjës të sistemit energjetik, njoftuan zyrtarët të Kievit.

Forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan 12 nga 16 raketat dhe të 13 dronët e lëshuar nga Rusia në sulmin e dytë të madh gjatë kësaj jave. Alarmet e lëshuar në mes të natës, për sulme ajrore në rajonet ukrainase zgjatën për disa orë.

Kompania ukrainase e energjisë elektrike, Ukrenergo njoftoi për dëme në objektet e saj në Zaporiizhia dhe Lviv. Dy punonjës u dërguan për mjekim në spital, sipas kompanisë.

Moska tha se sulmet e saj ajrore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës ishin si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me dronë të Ukrainëës në territorin rus.

Ukraina pritet të nisë bisedimet për anëtarësim në BE

Të premten, gjatë fjalimit të përnatshëm, Presidenti i Ukrainës Volodymzy Zelenskyy tha se Bashkimi Europian ka miratuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës. Sipas tij, negociatat do të fillojnë javën e ardhshme.

Ukraina dorëzoi kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian pak kohë pas fillimit të agresionit rus në territorin e saj.

Vendimi u BE-së për të ecur përpara me bisedimet është një mesazh i fortë për Rusinë mbi mbështetjen e Brukselit për Ukrainën në disa fusha, përfshirë atë financiare.

Bashkimi Europian ka miratuar gjithashtu kornizën negociuese për vendin fqinj të Ukrainës, Moldavinë.

XS
SM
MD
LG