Lidhje

Luiziana u kërkon shkollave publike të shfaqin në klasa “Dhjetë Porositë ”e Biblës


Luiziana është bërë shteti i parë amerikan që kërkon që “Dhjetë Porositë” e Biblës të shfaqen në çdo klasë të shkollave publike, lëvizja e fundit nga një legjislaturë e dominuar nga republikanët që nxit një axhendë konservatore nën një guvernator të ri.

Ligji i nënshkruar të mërkurën nga guvernatori republikan, Jeff Landry, kërkon shfaqjen në madhësinë e një pllakate të “Dhjetë Porosive” me shkronja të mëdha që mund të lexohen lehtësisht, në të gjitha klasat e shkollave publike, që nga klasa e parë e deri në auditorët e universiteteve që financohen nga shteti.

Kundërshtarët shprehin dyshime për kushtetutshmërinë e ligjit dhe u zotuan ta sfidojnë atë në gjykatë.

Mbështetësit e ligjit thanë se masa nuk është vetëm fetare, por ka edhe rëndësi historike. Në tekstin ligjor, “Dhjetë Porositë” janë “dokumentet themelore të qeverisë sonë shtetërore dhe kombëtare”, thonë përkrahësit.

Pankartat duhet të vendosen nëpër klasa deri në fillim të vitit 2025. Ato do të shoqërohen me një sqarim që i cilëson “Dhjetë Porositë” si “pjesë të rëndësishme të arsimit publik amerikan për gati tre shekuj”.

Në bazë të ligjit nuk do të përdoren fonde shtetërore, por vendosja e tyre do të mbulohet nga donacionet.

Ligji gjithashtu “autorizon”, por nuk kërkon, shfaqjen e simboleve të tjera në shkollat publike, përfshirë “Marrëveshjen Mayflower”, e nënshkruar nga pelegrinët fetarë në bordin e anijes Mayflower në vitin 1620, që shpesh cilësohet si “Kushtetuta e Parë e Amerikës” apo Deklaratën e Pavarësisë, mes të tjerash.

Kundërshtarët zotohen ta sfidojnë ligjin

Pak pasi guvernatori nënshkroi ligjin të mërkurën në “Shkollën Katolike Zoja Fatime” në Lafayette, grupet dhe organizatat e të drejtave civile, që duan ta mbajnë fenë jashtë qeverisë, premtuan të ngrenë një padi për ta sfiduar vendimin.

Ligji i pengon studentët që të arsimohen në mënyrë të barabartë dhe do t’i bëjë fëmijët e besimeve të tjera të ndihen të pasigurt në shkolla, thuhet në një deklaratë të përbashkët të “Unionit Amerikan për Liritë Civile, Amerikanët e Bashkuar për Ndarjen e Kishës nga Shteti” dhe “Fondacionit Liria nga Feja”.

“Edhe midis atyre që mund të besojnë në disa variante të ‘Dhjetë Porosive’, teksti mund të ndryshojë sipas besimit fetar ose traditës. Qeveria nuk duhet të mbajë anë në këtë debat teologjik”, thuhet në deklaratë.

Ligji i debatueshëm vjen gjatë një epoke të re të udhëheqjes konservatore në Luiziana nën guvernatorin Landry, i cili zëvendësoi në muajin janar guvernatorin demokrat me dy mandate, John Bel Edwards.

Republikanët zotërojnë një supershumicë në legjislaturë dhe kanë fituar zgjedhjet për të gjitha postet drejtuese në shtetin e Luizianës, çka u ka hapur rrugën ligjvënësve që të nxisin një axhendë konservatore.

Edhe shtete të tjera kanë dalë me projektpropozime të ngjashme, përfshirë Teksasin, Oklahomën dhe shtetin Jutah. Përveç Luizianës, asnjë shtet tjetër nuk ka arritur të miratojë ligje të tilla si rezultat i kërcënimeve për sfida ligjore lidhur me kushtetutshmërinë.

Një ligj i ngjashëm u shpalli jokushtetues

Betejat ligjore për shfaqjen nëpër klasa të “Dhjetë Porosive” të Biblës nuk janë të reja.

Në vitin 1980, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara u shpreh se një ligj i ngjashëm i shtetit Kentaki binte ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, i cili e ndalon qeverinë të përcaktojë një fe zyrtare, ose të miratojë ligje që favorizojnë një fe ndaj një tjetre, ose të kufizojë ushtrimin e lirë të saj.

Gjykata konstatoi se ligji nuk kishte qëllim laik, por i shërbente një synimi qartësisht fetar.

XS
SM
MD
LG