Lidhje

Presidenti Macron kërkon nga shkollat franceze të luftojnë antisemitizmin


Emmanuel Macron - President i Francës
Emmanuel Macron - President i Francës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kërkoi të mërkurën nga shkollat të mbajnë “një orë diskutim” këtë javë për racizmin dhe antisemitizmin, pas njoftimeve për përdhunimin e një vajze hebreje në Paris.

Tre adoleshentë u arrestuan këtë javë pas një ankese nga një vajzë 12-vjeçare nga një zonë në perëndim të Parisit, e cila u tha zyrtarëve të policisë se ishte përdhunuar në grup dhe ishte fyer me shprehje antisemite, tha Zyra e prokurorit në Nanterre.

Incidentet kundër komunitetit hebre në Francë janë rritur që kur Hamasi, grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, bëri një sulm në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi fillimin e luftës së Izraelit në Gazë.

Presidenti Macron reagoi me shpejtësi, ndërsa Franca është në një fushatë zgjedhore tre-javore, pasi ai shpalli zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Presidenti i kërkoi ministres së Arsimit, Nicole Belloubet “të organizojë një diskutim në të gjitha shkollat për luftën kundër antisemitizmit dhe racizmit, për ta parandaluar gjuhën e urrejtjes”, tha zyra e presidentit të Francës.

Kundërshtarët i kanë akuzuar ‘Bashkimin Kombëtar’ dhe partinë e së majtës së linjës së ashpër ‘Franca e Papërkulur’, pjesë të Frontit Popullor, se i kanë toleruar qëndrimet anti-semite në radhët e tyre, akuza që janë hedhur poshtë nga të dyja partitë.

Udhëheqësi i “Bashkimit Kombëtar”, Jordan Bardella, tha të mërkurën se Franca duhet të luftojë “atmosferën anti-semite”, që është e pranishme në vend nga fillimi i luftës në Gazë.

XS
SM
MD
LG