Lidhje

SHBA sanksionon rrjetin e kompanive të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Millorad Dodik


Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione ndaj dy individëve dhe një rrjeti kompanish që sigurojnë pasuri për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik dhe familjen e tij, përfshirë të birin, Igor Dodik.

Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë se Milorad Dodiku shfrytëzoi presidencën e tij për të drejtuar kontratat e qeverisë në një rrjet prej shtatë kompanish private që mbikëqyren nga ai dhe i biri, të cilat formalisht kontrollohen nga individë besnik të tij..

Presidenti i pro rus i Republikës Serbe, Milorad Dodik, i cili prej kohësh kërkon shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja, tashmë është nën sanksionet e amerikane dhe britanike.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara sanksionuan dy fëmijët e tij të rritur, djalin Igor Dodik dhe vajzën Gorica Dodik si dhe kompanitë e tyre, duke thënë se lehtësuan korrupsionin e vazhdueshëm të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës.

Sanksionet përfshijnë edhe dy persona; Milenko Çiçiç dhe Gjorgje Gjuriç si dhe kompanitë: Infinity International Group, Infinity Media, K-2 Audio Services, Kaldera Company, Prointer Itss, Sirius 2010 dhe Una World Network.

Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet mes tjerash se në vitin 2024, Milorad Dodiku ka shfrytëzuar ndikimin e tij mbi disa zyrtarë të lartë të Bosnjës e Hercegovinës për të manipuluar projektbuxhetin shtetëror të Bosnjës, në mënyrë që një kontratë në nivel shtetëror ta fitonte Grupi Prointer ITSS, jashtë procesit konkurrues”.

Brian Nelson, nënsekretari i Thesarit, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shpërfaqin “skemat mashtruese që i mundësojnë Dodikut dhe familjes së tij të shfrytëzojnë njerëzit e tyre për përfitime personale”.

Shtetet e Bashkuara thonë se Dodiku ka dëmtuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, që la pas vets mbi 100,000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Në përfundim të luftës Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të lidhura nëpërmjet një qeverie të dobët qendrore në Sarajevë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për të gërryer institucionet që kanë siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë në Bosnjë dhe Hercegovinë”, tha zoti Nelson.

Milorad Dodiku mbështetet në përkrahjen e Rusisë në qëndrimet e tij, ndërsa ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Moska po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të rajonit për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj në Ukrainë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller tha se Milorad Dodiku vazhdon të jetë një aktor destabilizues në rajon.

“Propozimi i tij i fundit për një "shkëputje" të Republikës Serbe paraqet vazhdimin e veprimtarisë së tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe kërcënon paqen dhe qëndrueshmërinë e rajonit. Duke sulmuar kuadrin kushtetues të Bosnjës, Dodik kërcënon të ardhmen e vendit në institucionet euroatlantike”, tha zëdhënësi Miller.

Në muajin maj qeveria e Republikës Serbe tha se do të hartojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore". Paralajmërimi u bë në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e cila me 23 maj miratoi një rezolutë me të cilën shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995.

“Republika Serbe mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës. Shkëputja ose ‘ndarja’ e Republikës Serbe nuk do të thotë pavarësi për të ose fund për Bosnjën, por fund për Republikën Serbe”, tha me 24 maj ambasada amerikane në Beograd.

XS
SM
MD
LG