Mediat e Koresë së Veriut njoftuan se Presidenti rus Vladimir Putin do të fillojë një vizitë dy ditore të martën në këtë vend.
Zoti Putin pritet të takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un për të diskutuar rreth zgjerimit të bashkëpunimit ushtarak ndërkohë që dy palët po thellojnë partneritetin e tyre përballë acarimit me Uashingtonin.
Agjencia zyrtare Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut njoftoi të hënën se zoti Putin do të zhvillojë një vizitë shtetërore gjatë ditës së martë dhe të mërkurë me ftesë të zotit Kim. Nuk u dhanë detaje tjera rreth vizitës. Rusia e konfirmoi vizitën me një njoftim që u bë publik në të njëjtën kohë.
Kjo është vizita e parë e zotit Putin në Korenë e Veriut në 24 vitet e fundit. Vizita vjen në një periudhë shqetësimesh të shtuara ndërkombëtare rreth një marrëveshjeje armësh përmes të cilës Pheniani e furnizon Moskën me armatime shumë të nevojshme për luftën e zotit Putin në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjisë që do të shtonte kërcënimin që bart programi i armëve dhe raketave bërthamore të zotit Kim.
Bashkëpunimi ushtarak, ekonomik dhe në fusha të tjera ndërmjet Koresë së Veriut dhe Rusisë është rritur dukshëm që kur zoti Kim vizitoi Lindjen e largët ruse në shtator për të takuar zotin Putin, takimi i tyre i parë që nga viti 2019.
Zyrtarët amerikanë dhe të Koresë së Jugut akuzojnë Korenë e Veriut se po furnizon Rusinë me artileri, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake, duke e ndihmuar të zgjasë luftën në Ukrainë, me gjasë në këmbim të ndihmës dhe teknologjisë thelbësore ushtarake. Pheniani dhe Moska i kanë mohuar akuzat për furnizim me armatime, gjë që përbën një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.