Lidhje

Izraeli do të ndalojë luftimet gjatë ditës për të mundësuar hyrjen e ndihmave në Gazë


Ushtria izraelite njoftoi të dielën se do të ndalojë luftimet gjatë orëve të ditës përgjatë një rruge në Gazën jugore, për të mundësuar hyrjen e një sasie të madhe të ndihmave humanitare për palestinezët e dëshpëruar që përjetojnë një krizë humanitare të shkaktuar nga lufta, tashmë në muajin e saj të nëntë.

“Pauza taktike” e shpallur nga ushtria, e cila zbatohet në një hapësirë prej rreth 12 kilometrash në zonën e Rafahut, është shumë larg nga një armëpushim i plotë në territorin e rrethuar, që është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara. Nëse qëndron, ndalimi i kufizuar i luftimeve mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej nevojave të mëdha të palestinezëve, të cilat janë shtuar edhe më shumë javët e fundit me sulmin e Izraelit në Rafah.

Ushtria tha se pauza që filloi në orën 8:00 të mëngjesit dhe do të jetë në fuqi deri në orën 19:00. Ajo tha se pauza do të zbatohet çdo ditë deri në një njoftim tjetër.

Pauza synon të lejojë kamionët e ndihmave të arrijnë në vendkalimin e afërt të kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, hyrja kryesore për ndihmën dhe të udhëtojnë të sigurt në autostradën Salah a-Din, një rrugë kryesore veri-jug, tha ushtria. Vendkalimi është përballur me bllokadë që kur trupat tokësore izraelite u zhvendosën në Rafah në fillim të majit.

COGAT, mekanizmi ushtarak izraelit që mbikëqyr shpërndarjen e ndihmave në Gaza, tha se rruga do të rriste rrjedhën e ndihmës në pjesë të tjera të Gazës, duke përfshirë Khan Younisin, Muwasin dhe Gazën qendrore. Gaza veriore e goditur rëndë, e cila ishte një objektiv i hershëm në luftë, po mbështetet nga ndihmat që hyjnë nga një vendkalim në veri.

Ushtria tha se pauza u vendos pas diskutimeve me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.

Por, agjencitë e ndihmës, përfshirë OKB-në, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Pauza përgjatë rrugës jugore po ndodhë ndërsa Izraeli dhe Hamasi po peshojnë propozimin e fundit për një armëpushim, një plan që u shpalos me hollësi nga presidenti Joe Biden, në përpjekjen më të përqendruar diplomatike të administratës për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve të marra nga grupi militant. Ndërsa presidenti Biden e përshkroi propozimin si një plan izraelit, Izraeli nuk e ka mbështetur plotësisht atë dhe Hamasi ka kërkuar ndryshime, që duken të papranueshme për Izraelin.

Fushata ushtarake e Izraelit kundër grupit militant Hamas, e nxitur nga sulmi i grupit me 7 tetor, e ka zhytur Gazën në një krizë humanitare, me OKB-në që raporton uri të përhapur dhe qindra mijëra njerëz në prag të urisë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për të lehtësuar krizën dhe ka thënë se luftimet e vazhdueshme, përfshirë ato në Rafah, kanë ndërlikuar dërgesat e ndihmave gjatë gjithë luftës.

Nga 6 maji deri më 6 qershor, OKB-ja merrte mesatarisht 68 kamionë ndihma në ditë, sipas të dhënave nga zyra humanitare e OKB-së, e njohur si OCHA. Kjo sasi ishte më pak nga 168 kamionë në ditë në muajin prill dhe shumë më pak se 500 kamionë në ditë, që grupet e ndihmës thonë se nevojiten.

Rrjedha e ndihmave në Gazën jugore ra bashkë me rritjen e nevojave humanitare. Më shumë se 1 milion palestinezë, shumë prej të cilëve tashmë ishin zhvendosur, u larguan nga qyteti Rafah pas sulmit, duke u grumbulluar në pjesë të tjera të Gazës jugore dhe qendrore. Shumica tani lëngojnë në kampet me tenda të shkatërruara, duke përdorur llogoret si tualete, me ujërat e zeza që rrjedhin nëpër rrugë.

COGAT-i thotë se nuk ka kufizime për hyrjen e kamionëve. Ai thotë se më shumë se 8,600 kamionë të të gjitha llojeve, si ata me ndihma ashtu edhe ata tregtar, hynë në Gaza nga të gjitha vendkalimet nga 2 maji deri më 13 qershor, mesatarisht 201 në ditë. Por pjesa më e madhe e ndihmës është grumbulluar në vendkalime dhe nuk ka arritur në vend.

Një zëdhënës i COGAT-it, Shimon Freedman, tha se është faji i OKB-së që ngarkesat e saj u grumbulluan në anën e Gazës në Kerem Shalom. Ai tha se agjencitë kanë "probleme themelore logjistike që nuk i kanë zgjidhur” veçanërisht mungesën e kamionëve.

OKB-ja mohon akuzat e tilla. Ajo thotë se luftimet midis Izraelit dhe Hamasit shpesh e bëjnë shumë të rrezikshme që kamionët e OKB-së brenda Gazës të udhëtojnë në Kerem Shalom, i cili është afër kufirit me Izraelin.

Marrëveshja e re synon të zvogëlojë nevojën për bashkërendimin e dërgesave duke ofruar një dritare 11-orëshe të pandërprerë çdo ditë për kamionët, që të lëvizin brenda dhe jashtë vendkalimit.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ushtria do të ofrojë siguri për kamionët e ndihmës ndërsa ata lëviznin përgjatë autostradës.

XS
SM
MD
LG