Lidhje

Gjeorgji, disa organizata sfidojnë ligjin “për agjentët e huaj” 


Gjeorgji, aktivistet
Gjeorgji, aktivistet

Kundërshtarët e ligjit për "agjentët e huaj", që hyri në fuqi në Gjeorgji këtë muaj, thonë se nuk do ta respektojnë atë. Ata thonë se ligji, i cili kërkon që organizatat që marrin 20 për qind ose më shumë të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si agjentë të huaj, është i ngjashëm me një ligj në Rusi dhe synon të heshtë kritikët përpara zgjedhjeve të këtij viti. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Tbilisi, organizatat që refuzojnë të zbatojnë këtë ligj mund të përballen me gjoba të rënda financiare.

Gjeorgji, disa organizata sfidojnë ligjin “për agjentët e huaj” 
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00

Eka Gigauri drejton organizatën kundër korrupsionit Transparency International në Gjeorgji. Ajo është një figurë e urryer për qeverinë.

Fytyra e saj është përdorur në materiale propagandistike ku ajo akuzohet se është pasuruar me para të organizatave të huaja dhe do që të shesë vendin e saj, Gjeorgjinë.

“Personalisht nuk është aq e lehtë, por po mësohemi me gjëra të tilla. Në fund të fundit, e di se po luftoj për kauzën e duhur. Unë i shërbej vendit tim”, thotë ajo.

Organizata Transparency International, e cila merr fonde nga donatorë të huaj, përfshirë qeverinë amerikane dhe organizata private në Shtetet e Bashkuara, preket nga ligji i ri në Gjeorgji.

Sipas ligjit, çdo organizatë që merr më shumë se 20 për qind fonde të huaja duhet të regjistrohet si "agjent i huaj". Kritikët e kanë krahasuar atë me një ligj të ngjashëm në Rusi.

“Ne nuk do të jetojmë sipas një ligji rus këtu. Prandaj ne nuk do të regjistrohemi. Dhe ky është vendimi i çdo personi që punon për Transparency International. Kjo është çështje dinjiteti për ne. Ne jemi patriotët e këtij vendi. I kemi shërbyer për shumë vite këtij vendi dhe njerëzve të tij. Nuk do të pranojmë të kalsifikohemi si ‘agjentë’ apo ‘spiunë’, që minojnë interesat e shtetit”, thotë aktivistja Eka Gigauri.

Sipas ligjit, organizatat e prekura që refuzojnë të regjistrohen si agjentë të huaj do të gjobiten fillimisht me rreth 9300 dollarë amerikanë, e më pas do të gjobiten me rreth 7500 dollarë në muaj për mosrespektim të këtij ligji.

Ata gjithashtu përballen me ngrirjen e pasurive të tyre.

Partia në pushtet "Ëndrra Gjeorgjiane" këmbëngul se ligji për agjentët e huaj është i nevojshëm për të siguruar transparencë.

Por kundërshtarët thonë se qëllimi i qeverisë është kufizimi i llogaridhënies dhe kritikave ndaj qeverisë përpara zgjedhjeve të tetorit.

Lika Zakashvili është kryeredaktore e portalit “Publika Media”, që gjithashu ka refuzuar të regjistrohet si “agjent i huaj”.

“Për mua, pjesa më e papranueshme është emërtimi ‘agjent i huaj’. Ligji synon ta bëjë të pamundur punën tonë këtu. Qëllimi i dytë i përgjithshëm i këtij ligji është djallëzimi i botës perëndimore”, thoë ajo.

Ligji i ri u jep autoriteteve kompetenca të gjera hetimore kundër organizatave dhe individëve. Aka Zarkua drejton një organizatë joqeveritare, që monitoron shpenzimet e qeverisë.

"Ligji na detyron të dorëzojmë të gjitha shpenzimet financiare, të gjitha informacionet personale dhe ato që lidhen me shpenzimet dhe komunikimet private", thotë drejtuesi i Qendrës së Monitorimit të Qeverisjes, Aka Zarkua.

Disa organizata po përpiqen të gjejnë mënyra për të shmangur zbatimin e ligjit, përfshirë regjistrimin në vende të tjera evropiane.

"E ardhmja jonë, veprimet tona të ardhshme, do të varen nga rezultati i zgjedhjeve. Mund të jetë një botë shumë e ndryshme pas 26 tetorit", thotë Aka Zarkua nga Qendra e Monitorimit të Qeverisjes.

Ligji për agjentët e huaj ka shkaktuar një betejë të qartë politike përpara zgjedhjeve të rëndësishme të tetorit. Kjo nuk është më një luftë për një ligj të vetëm, por për të ardhmen e vetë Gjeorgjisë.

XS
SM
MD
LG