Lidhje

Tiranë, Dëgjesa me dëshmitarë në komisionin hetimor për koncensionet Sterilizim dhe Check-up


Bexhet Zeqiri, ekspert i KLSH-së, duke dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar
Bexhet Zeqiri, ekspert i KLSH-së, duke dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar

Në Tiranë, komisioni hetimor parlamentar për Sterilizimin dhe Check-Up -in në shëndetësi zhvilloi sot një seancë dëgjimore me dëshmitarë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe fusha të tjera.

Komisioni dëgjoi së pari dëshmitë e një eksperti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bexhet Zeqiri, lidhur me kontrollet, që i janë bërë nga ky institucion koncensionit të Check-Up-it, qysh nga fillimet e veta 9 vjet më parë.

Ai tha se ka audituar zbatimin e kontratës së koncensionit mes ministrisë së Shëndetësisë dhe subjektit “Life 3G”.

Më pas, tha ai, është miratuar edhe një kontratë tjetër midis subjektit “Life 3G” dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) mbi mënyrën se si do të kryheshin pagesat e check-up-it.

Nga auditimi doli, sipas tij, se ishin prerë shumë fatura tatimore nga subjekti “Life 3G” dhe ato ishin likuiduar nga Fondi i Sigurimit.

Zoti Zeqiri theksoi se vetëm në periudhën 8-mujore të kontrolluar prej tij (mars 2015 - nëntor 2015) ishin prerë fatura tatimore për afro 321 mijë check-up-e të kryera, si dhe për afro 104 mijë 440 raste për check-up-e të pakryera.

Këto të fundit shkonin në shuma mbi 350 mijë dollarë, dhe janë analiza check-up të pakryera, por që u është bërë pagesa sikur të jenë kryer.

“Këto pagesa për punë të pakryer i shkaktojnë dëm buxhetit të shtetit. Këto fatura tatimore janë në kundërshtim me ligjin mbi faturat tatimore dhe mbi tvsh-në, sepse askush nuk mund të presë një faturë tatimore për një shërbim, që nuk është kryer”, theksoi zoti Zeqiri i KLSH-së.

Dëshmitari, njëkohësisht auditi i KLSH-së, detajoi se zbatimi i kontratës kishte nisur nga marsi i vitit 2015 dhe kontrollet u bënë për periudhën mars - nëntor 2015 dhe në janar të 2016 ishte shlyer dhjetori, pra përfshinte 8 muajt e parë të kësaj kontrate shumëvjeçare.

“Për këtë periudhë janë paraqitur për pagesë fatura tatimore 320 mijë e 883 raste të kryera check-up-esh në vlerën 493 milionë 197 mijë lekë pa tvsh, si dhe 591 milionë 836 mijë lekë me tvsh. Këto ishin të ndara për raste të kryera në fakt dhe të kontrolluara për 216 mijë e 439 raste në vlerën 332 milionë 666 mijë pa tvsh si dhe 399 milionë me tvsh. Për rastet e pakryera, diferencat ishin 104 mijë e 440 raste check-up-esh në vlerën 160 milionë 530 mijë lekë pa tvsh dhe 192 milionë 636 mijë lekë me tvsh, që u paguan shërbim të pakryer”, tha zoti Zeqiri.

KLSH ka rekomanduar ndryshimin e kushteve të kontratës, në mënyrë që, përmes modaliteteve shtesë të arrihet masa e kontrolleve, mbi të cilat është dakordësuar çmimi i këtij shërbimi.

Deputetët e shumicës socialiste pyetën ekspertin mbi përgatitjen e tij profesionale në këtë fushë dhe më pas u larguan nga mbledhja e komisionit.

Koncensionet e Sterilizimit dhe Check-up-it janë prej disa kohësh çështje hetimore nga SPAK-u. Për çështjen e parë hetimet janë mbyllur, ndërsa janë nën arrest me burg ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe koncensionari Ilir Rrapaj, si dhe dyshohet për shkelje dhe shpërdorim detyre ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj. Ndërsa vazhdojnë hetimet për koncensionin e Check-up-it.

XS
SM
MD
LG