Lidhje

Hovenier: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë


Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha sot se përfundimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe çdo gjë më pak, nuk përmbush synimet për një Evropë të lirë e në paqe.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi në kuadër të takimit “Ballkani Perëndimor 2024” që po mbahet në Prishtinë, i organizuar nga “The Economist”.

“Por, në një pikë dua të jem i qartë. Ka një numër zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë duke folur për nevojën e zbatimit të plotë të detyrimeve nga Kosova dhe Serbia, detyrime që i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, çdo gjë më pak se kjo nuk e përmbush vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ambasadori Hovenier.

Diplomatët perëndimor theksojnë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se një nga sfidat më të mëdha është tejkalimi i paragjykimeve dhe konflikteve historike, që e kanë ndarë rajonin për një kohë të gjatë.

“Problemet që kemi nuk kanë të bëjnë me serbët, problemet i kemi me Beogradin, i cili nuk e distancoi vetën as nga (Slobodan) Millosheviçi i së kaluarës apo nga (Vladimir) Putini i së tashmes. Pra ky është problemi që e kemi dhe është me fqinjin tonë verior”, tha kryeministri Kurti.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje të përmbyllë problemet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më një marrëveshje të ndërmjetme, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkanin.

Ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson tha se Rusia dhe aleatët e saj të Lindjes mund të përdorin teknika të ndryshme për të dobësuar shoqëritë perëndimore.

“Dhe ne tashmë po e shohim në mënyra të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Çfarë do të thotë kjo? Luftë kibernetike, ndërhyrje në zgjedhje, krim të organizuar. Të gjitha këto gjëra po ndodhin dhe po i dobësojnë institucionet demokratike”, tha ai.

Beogradi i mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, mirëpo është përfshirë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Javën e kaluar, Serbia dhe Republika Serbe, organizuan atë që u quajt “Kuvendi gjithëserb”, në të cilën u miratua një deklaratë për siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb.

Në pjesën për Kosovën të deklaratës së atij kuvendi thuhet se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, një nga përcaktuesit e identitetit kombëtar të serbëve”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier shprehu sërish mospajtimin me këtë deklaratë.

“Unë vetëm mund të them se ky nuk është këndvështrim i qeverisë sime dhe partnerëve tanë. Kosovën ne e kemi njohur si një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, dhe kjo cështje nuk është e hapur për rishqyrtim apo negocim. Është për t'u pranuar, është për t'u njohur, është për t'u festuar dhe duhet të jetë pjesë e këtij suksesi të përbashkët rajonal”, tha ai.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan një vit më parë për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por pa nënshkrim të saj. Në marrëveshje nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

XS
SM
MD
LG