Kryeministri indian Narendra Modi po udhëheq një qeveri koalicioni ndërsa ai fillon një mandat të tretë në detyrë. Varësia e zotit Modi nga aleatët e koalicionit ka ngritur pikëpyetje mbi mundësitë e tij për të zbatuar në mënyrë efektive ndryshimet transformuese që ai premtoi gjatë fushatës zgjedhore.
Kryeministri Narendra Modi është udhëheqësi i dytë në historinë e Indisë që arrin të zgjidhet për një mandat të tretë.
Por ai kthehet në pushtet me një mbështetje më të vogël. Partia e tij humbi shumicën në parlament, por ai drejton një qeveri koalicioni dhe do të ketë nevojë për një marrëveshje më të gjerë me partnerët e tij për të qeverisur vendin.
“Shumica në parlament është thelbësore për drejtimin e vendit. Ky është thelbi i demokracisë. Por për të drejtuar një vend, konsensusi është gjithashtu thelbësor”, tha kryeministri indian.
Ky konsensus me aleatët rajonalë paraqet sfida për një udhëheqës, i cili ka qeverisur me një shumicë absolute për një dekadë.
“Stili i tij i drejtimit ka qenë marrja e vendimeve të shpejta, trajtimi i çështjeve me afate kohore, pa patur nevojë për konsultime me shumë njerëz. Pra, tani ai duhet të ketë një qasje të re mbi vendimmarrjen”, thotë Neerja Chowdhury, analiste e çështjeve politike.
Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Modi ka folur për një plan 100-ditor për realizimin e objektivave të tij mëdha. Tani ka shumë pyetje mbi mundësinë e realizimit të tyre.
Analistët thonë se ai do të jetë në gjendje të bindë aleatët e tij në përpjekjet për realizimin e reformave për të nxitur prodhimin dhe investimet e nevojshme për të rritur ekonominë e Indisë. Përpjekjet e Indisë për të vendosur marrëdhënie më të ngushta me vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet e mira me Rusinë, gëzojnë mbështetje të gjerë.
“Ai mund të mos përballet me rezistencë për disa vendime të mëdha në frontin ekonomik, si hapja e disa sektorëve për investime të huaja direkte dhe qasjen në frontin e politikës së jashtme. Përveç aleatëve të tij, për këto çështje të mëdha, ai mund të marrë edhe mbështetjen e opozitës”, thotë Neerja Chowdhury, analiste e çështjeve politike.
Por axhenda nacionaliste e partisë së tij mund të bëhet një çështje dytësore. Aleatët e tij kryesorë i përkasin partive laike dhe nuk ndajnë ideologjinë hindu të partisë BJP.
Analistët theksojnë gjithashtu se inaugurimi i një tempulli madhështor hindu në Ayodhya në janar nuk solli mbështetje politike pasi partia e tij humbi zgjedhjet në zonën ku ndodhet tempulli.
“Rezultati i zgjedhjeve ishte në fakt një lloj refuzimi i politikave ekstreme nacionaliste hindu. Kjo në fakt nuk u bë një çështje e rëndësishme elektorale. Njerëzit nuk votuan për BJP-në edhe pse ajo kishte ndihmuar për ndërtimin e tempullit”, thotë Nilanjan Mukhopadhyay, analist i çështjeve politike.
Në një vend, ku partitë e opozitës kanë ngritur shqetësime për proceset demokratike gjatë qeverisjes së zotit Modi, atij do t'i duhet gjithashtu të ndërtojë konsensus me një opozitë më të fortë, që ka fituar terren.
Analistët thonë se mbetet për t'u parë se si Modi, të cilin kritikët e kanë quajtur autoritar, do t’i përshtatet realitetit të ri politik të Indisë.
"Zoti Modi duhet të ndryshojë nëse dëshiron që kjo qeveri të vazhdojë dhe të përfundojë mandatin e saj pa ndonjë trazirë të madhe politike”, thotë analisti Nilanjan Mukhopadhyay.
Mënyra se si zoti Modi do të qeverisë në mandatin e tij të tretë do të përcaktojë trashëgiminë e një udhëheqësi, që ka drejtuar Indinë në dekadën e fundit.