Lidhje

Blinken i quan shpresëdhënëse sinjalet se Hamasi përkrah marrëveshjen e armëpushimit të mbështetur nga OKB-ja


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të martën se një deklaratë e Hamasit në mbështetje të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që përkrahë një propozim për një armëpushim në luftën e Gazës është një "shenjë shpresëdhënëse".

Bisedimet mbi planet për Gazën pas përfundimit të luftës Izrael-Hamas do të vazhdojnë të martën pasdite dhe në dy ditët e ardhshme, tha sekretari Blinken në Jerusalem, pas bisedimeve me udhëheqësit izraelitë. “Është e domosdoshme që ne t’i kemi këto plane”.

Sekretari Blinken u takua me zyrtarë izraelitë të martën në një përpjekje të përbashkët për t'i dhënë fund luftës tetë mujore, një ditë pasi propozimi i presidentit Joe Biden për një armëpushim, u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Përpara udhëtimit të sekretarit Blinken, Izraeli dhe Hamasi përsëritën pozicionet e vijës së ashpër, që kanë dëmtuar ndërmjetësimin e mëparshëm për t'u dhënë fund luftimeve, ndërsa Izraeli ka vazhduar me sulmet në Gazën qendrore dhe jugore, ndër më të përgjakshmit që nga fillimi i luftës.

Të martën, megjithatë, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, i cili ndodhet jashtë Gazës, tha se e pranon rezolutën e armëpushimit dhe është gati të negociojë mbi hollësitë, duke shtuar se i takon Uashingtonit të sigurojë që Izraeli t'i përmbahet asaj.

Ai tha se Hamasi pranoi formulimin që përcakton tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve të mbajtura në territor për të burgosurit palestinezë që mbahen në Izrael.

“Administrata amerikane përballet me një sprovë të vërtetë për të përmbushur angazhimet e saj për ta detyruar okupatorin t'i jap fund luftës menjëherë duke zbatuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Abu Zuhri për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sekretari Blinken tha se deklarata e Hamasit ishte "një shenjë shpresëdhënëse", por është e nevojshme një fjalë përfundimtare nga udhëheqja e Hamasit në Gaza. "Kjo është ajo që ka rëndësi, dhe kjo është ajo që ne nuk e kemi ende".

Izraeli ka thënë se do të pajtohet vetëm me pushime të përkohshme në luftë derisa Hamasi të mposhtet, ndërsa Hamasi është kundërpërgjigjur se nuk do të pranojë një marrëveshje që nuk garanton se lufta do të marrë fund.

Sekretari Blinken, duke folur me gazetarët, tha se bisedimet e tij po trajtonin gjithashtu planet për të ardhmen e Gazës, duke përfshirë sigurinë, qeverisjen dhe rindërtimin e enklavës së shkatërruar.

“Ne po e bëjmë këtë duke u këshilluar me shumë partnerë në të gjithë rajonin. Këto biseda do të vazhdojnë...është e domosdoshme që ne t'i kemi këto plane", tha ai.

Frika nga një luftë e madhe Izrael-Hezbollah

Në vizitën e tij, të tetën në Lindjen e Mesme që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas tetorin e kaluar, sekretari Blinken shpreson gjithashtu t’i kundërvihet dhunës në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut të Libanit, pasi të dyja palët sinjalizuan gatishmërinë për një konflikt të madh.

Sekretari Blinken u takua me presidentin izraelit Isaac Herzog, ish-shefin e ushtrisë Benny Gantz, i cili u largua nga qeveria e dominuar nga e djathta të dielën, për shkak të asaj që ai tha se ishte dështimi i qeverisë për të hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës, si dhe me udhëheqësin e opozitës Yair Lapid.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se sekretari Blinken diskutoi mbi propozimin e armëpushimit të presidentit Biden me zotin Gantz dhe përsëriti se ai do të avanconte interesat e sigurisë të Izraelit, do të sillte pengjet në shtëpi dhe do të rriste shanset për të rivendosur qetësinë përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.

Propozimi i presidentit Biden parashikon një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael në tri faza, duke çuar drejt një fundi të përhershëm të luftës.

Shtetet e Bashkuara janë aleati më i afërt i Izraelit dhe furnizuesi më i madh i tij me armë, por janë bërë gjithnjë e më kritikuese për numrin e lartë të vdekjeve të civilëve, shkatërrimin e madh dhe krizën humanitare të shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gaza dhe kanë ushtruar trynsi më të madhe për t'i dhënë fund asaj.

Lufta u përshkallëzua të martën në Gaza ndërsa forcat izraelite shtuan sulmet në qytetin jugor të Rafahut, një ditë pasi katër ushtarë u vranë në një pritë të pretenduar nga Hamasi.

XS
SM
MD
LG