Lidhje

Sekretari Blinken në Lindjen e Mesme, nxit udhëheqësit rajonalë të ushtrojnë trysni ndaj Hamasit


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u drejtohet gazetarëve pas takimit me Presidentin egjiptian, në aeroportin e Kajros, më 10 qershor, 2024/AFP
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u drejtohet gazetarëve pas takimit me Presidentin egjiptian, në aeroportin e Kajros, më 10 qershor, 2024/AFP

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se Hamasi është pala e vetme që nuk ka rënë dakord ende me propozimin amerikan për armëpushim në Gazë.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në Lindjen e Mesme, në Kajro, ku u takua me Presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi, para se të udhëtonte në Izrael, Jordani dhe Katar ku do të takohet me zyrtarët më të lartë të këtyre shteteve.

“Shtetet e rajonit dhe vendet tjera të botës, si dhe organizatat ndërkombëtare, të gjitha e kanë mbështetur planin. Dhe i vetmi përjashtim në këtë moment, është Hamasi” deklaroi zoti Blinken gjatë vizitës në Kajro.

“Nëse doni armëpushim, bëjini trysni Hamasit të pajtohet me propozimin”, tha zoti Blinken duke e bërë përgjegjës grupin militant për mungesën e marrëveshjes. “E di që ka nga ata që janë pesimistë. Është e kuptueshme. Hamasi po vazhdon të tregohet cinik në veprimet e veta, të shpërfillë jo vetëm mirëqenien dhe sigurinë e izraelitëve, por edhe të palestinezëve.”

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë të hënën pasdite një rezolutë të Shteteve të Bashkuara që mirëpret propozimin për armëpushim të Presidentit Joe Biden dhe sipas së cilët Izraeli është pajtuar me planin. Rezoluta i bën thirrje Hamasit të pranojë planin me tre faza.

Projekt-rezoluta nxit Izraelin dhe Hamasin “të zbatojnë plotësisht detyrimet pa vonesë dhe pa kushte.”

Sekretari Blinken tha se po nxit udhëheqësit rajonalë të ushtrojnë trysni ndaj Hamasit që të pajtohet me propozimin për armëpushim për t’i pezulluar luftimet në Gazë.

Sipas zotit Blinken, tani Hamasi përbën të vetmin përjashtim në kundërshtimin e planit.

Ai rikthehet në rajon në një periudhë me shumë paqartësi: Hamasi ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare rreth propozimit të armëpushimit, të cilin e ka pranuar para 10 ditësh, shpëtimit të pengjeve në një operacion që shkaktoi vdekjen e shumë civilëve palestinezë dhe dorëheqjes së partnerit të koalicionit qeveritar në Izrael, politikanit Benny Gantz.

Gjatë takimeve me Presidentin egjiptian dhe udhëheqësit e Katarit, të cilët po ndërmjetësojnë në negociatat me Hamasin, zoti Blinken theksoi rëndësinë e përpjekjeve për të bindur grupin militant, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, që të bjerë dakord me planin me tre faza, që është pjesë e diskutimeve. Plani parashikon lirimin e më shumë pengjeve dhe një pezullim të përkohshëm të luftimeve që mund të çojë në tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan të dielën komentoi këto zhvillime në emisionin “This Week” të televizionit amerikan ABC.

“Është e vështirë të thuhet se si Hamasi do ta vlerësojë këtë operacion dhe se çfarë ndikimi do të ketë ai mbi vendimin e kësaj organizate për ta pranuar apo hedhur poshtë planin. Deri tani nuk kemi një përgjigje zyrtare nga Hamasi. Shpresojmë që nëse e tërë bashkësia ndërkombëtare do të flasë me një zë, Hamasi do të arrijë tek një përfundim i duhur”, deklaroi zoti Sullivan.

Por Hamasi mund të mos jetë pengesa e vetme drejt arritjes së armëpushimit.

Ndonëse propozimi është përshkruar si nismë izraelite dhe mijëra izraelitë kanë shprehur përkrahjen e tyre për të, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur skeptik, duke thënë se ajo që është prezantuar publikisht rreth planit është e pasaktë. Ai ka kundërshtuar thirrjet që Izraeli të ndalë luftë, duke këmbëngulur në shkatërrimin e Hamasit.

Në prag të takimit me Sekretarin Blinken në Izrael, zoti Netanyahu u zotua sërish të vazhdojë luftën deri në arritjen e këtij qëllimi.

“Jemi të angazhuar për një fitore të plotë. Nuk duam dhe nuk do ta braktisim atë pjesë jo vetëm për shkak të flijimit të njerëzve tanë të mrekullueshëm, por për shkak se bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit dhe nuk kemi zgjidhje tjetër.”

XS
SM
MD
LG