Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për votimin e një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që i kërkon Hamasit të pranojë një marrëveshje të propozuar armëpushimi, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të takohet të hënën me udhëheqësit në Egjipt dhe Izrael, në një përpjekje për të arritur një ndërprerje luftimesh.
Sekretari Blinken pas bisedimeve me presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sissi në Kajro prtet të shkojë më vonë shkon në Izrael për t'u takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant. Shefi i diplomacisë amerikane pritet të qëndrojë gjithashtu në Katar dhe në Jordani, ku do të marrë pjesë në një konferencë të përqendruar në ndihmën humanitare për Gazën.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Izraeli do të pranonte propozimin për armëpushim, i cili përfshin një ndërprerje luftimesh, lirimin e disa pengjeve nga Gaza, lirimin e të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael, shtimin e ndihmës humanitare për palestinezët, tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e populluara të Gazës dhe kthimin e civilëve palestinezë në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre.
Hamasi nuk e ka pranuar apo refuzuar planin, të cilin presidenti amerikan Joe Biden e shpalosi me hollësi më shumë se një javë më parë.
Projektrezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën e ka parë Zëri i Amerikës, synon të shtojë trysninë mbi Hamasin, duke i kërkuar gjithashtu Hamasit dhe Izraelit që të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e armëpushimit "pa vonesë dhe pa kushte", thuhet në tekst.
"Izraeli e ka pranuar këtë propozim dhe Këshilli i Sigurimit e ka mundësinë të flasë me një zë dhe t'i bëjë thirrje Hamasit të bëjë të njëjtën gjë", tha në një deklaratë të dielën vonë Misioni amerikan në Kombet e Bashkuara. “Kjo do të ndihmonte në shpëtimin e jetëve dhe fundin e vuajtjeve të civilëve në Gaza, si dhe të pengjeve dhe familjeve të tyre. Anëtarët e Këshillit nuk duhet ta lënë këtë mundësi t’u rrëshqas nga duart dhe duhet të flasin me një zë në mbështetje të kësaj marrëveshjeje”.
Votimi mbi rezolutën mund të ndodhë që të hënën.
Faza e dytë e marrëveshjes së propozuar të armëpushimit parashikon një ndërprerje të përhershme të armiqësive, tërheqjen e plotë të trupave izraelite dhe kthimin e të gjithë pengjeve të mbetura. Faza e fundit përfshin një përpjekje shumëvjeçare rindërtimi të Rripit të Gazës, pjesa më e madhe e së cilës është shkatërruar nga tetë muaj bombardimesh izraelite”.
Rifillon dërgimi i ndihmave nga ajri
Ushtria amerikane rifilloi të dielën dërgesat ajrore të ndihmave humanitare në pjesën veriorë të Rripit të Gazës pasi ndaloi këtë metodë në fund të majit, për shkak të asaj që ushtria tha se ishin kushte të pafavorshme moti dhe operacioneve ushtarake izraelite në zonë.
Rifillimi i operacionit pasoi njoftimin e ushtrisë amerikane se kishte përfunduar riparimet në një port të përkohshëm në bregun e Gazës.
Shefja e Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain tha të dielën se organizata po ndalonte punën e saj për shpërndarjen e ndihmave të sjella në port, duke i thënë emisionit CBS "Face the Nation" se ajo ishte "e shqetësuar për sigurinë e njerëzve tanë". Zonja McCain tha se dy nga magazinat e agjencisë ishin goditur nga raketat.
“Ne jemi tërhequr për momentin”, tha zonja McCain duke shtuar se duam “të sigurohemi që kemi kushte të sigurta dhe terren të sigurt përpara se të rifillojmë. Por pjesa tjetër e operacionit është funksionale. Ne po bëjmë ... gjithçka që mundemi në veri dhe jug”.
Sulmi terrorist i Hamasit me 7 tetor çoi në vdekjen e rreth 1200 njerëzve në Izrael, kryesisht civilë, sipas të dhënave zyrtare izraelite. Militantët e Hamasit morën rreth 250 pengje, 116 prej të cilëve mbeten në territorin palestinez, përfshirë 41 që ushtria thotë se janë të vdekur.
Përgjigja ushtarake e Izraelit la pas vetes të paktën 37,000 palestinezë të vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila nuk bën dallime midis luftëtarëve dhe civilëve në të dhënat e saj.
*Disa pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe France-Presse.