Lidhje

Francë, Presidenti Biden tek varrezat e ushtarëve amerikanë ku nuk shkoi ish-presidenti Trump


BELLEAU, Francë – Presidenti Joe Biden përmbylli vizitën në Francë duke bërë homazhe në varrezën amerikane, ku ish-presidenti Donald Trump nuk shkoi gjatë kohës që ishte president. Me vizitën në varrezat amerikane presidenti Biden shpreson të fitojë më shumë terren në betejën elektorale për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Përpara se të rikthehej në Shtetet e Bashkuara, presidenti Biden nderoi të rënët e Amerikës në Varrezën Amerikane në Aisne-Marne, të ndodhura rreth një orë larg Parisit. Ai vendosi një kurorë me lule në kishën e vogël të varrezës, ndërsa në sfond mbizotëronin gurët e bardhë të varreve ku prehen mbi 2,200 ushtarakë amerikanë që luftuan në Luftën e Parë Botërore.

Ky është një përfundim solemn i pesë ditëve gjatë të cilave roli i ish-presidentit Trump ishte e pashmangshme, megjithëse ai nuk u përmend. Në pamje të parë, vizita shënoi 80-vjetorin e Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Evropë dhe aleancën mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës. Por, në një vit zgjedhor kur ish-presidenti Trump ka vënë në pikëpyetje botëkuptimin themelor të rolit global të Amerikës, presidenti Biden përpiqet të fitojë epërsi përkundër pararendësit të tij republikan, dhe ndoshta edhe pasaardhës, duke vënë në pah kontrastin mes të dyve.

Çdo mesazh për të lartësuar partneritetin transatlantik shërbeu si një kujtesë se zoti Trump mund t’i japë fund kësaj marrëdhënieje. Çdo referencë për demokracinë shërbeu si kundërpeshë ndaj përpjekjeve të rivalit të tij për të përmbysur rezultatin zgjedhor. Zotimet e shumta për të ndihmuar Ukrainën përballë Rusisë, krijoi një kontrast me skepticizmin e zotit Trump për të ofruar ndihma amerikane.

Referencat e presidentit Biden për një betejë mes demokracisë dhe autokracisë u mirëpritën në Evropë, ku perspektiva e një rikthimi të zotit Trump është pritur me ankth. Por, mbetet për t’u parë se si ky mesazh do të rezonojë tek votuesit amerikanë, ndërsa ekipi elektoral i presidentit Biden përpiqet të lidhë mesazhet e forta paralajmëruese që bën presidenti demokrat për rivalin e tij, me shqetësimet e jetës së përditshme që kanë votuesit.

Vizita në varrezën amerikane shërbeu si një moment për ta nënvizuar kontrastin sërish.

“Është e njëjta histori”, tha presidenti Biden, “Amerika erdhi. Amerika erdhi për të ndalur gjermanët. Amerika erdhi për t’u siguruar se ata nuk do të mbizotëronin. Dhe Amerika paraqitet atëherë kur nevojitet, ashtu siç bënë aleatët për ne”.

Gjatë një udhëtimi në vitin 2018 në Francë, ish-presidenti Trump nuk e bëri vizitën e planifikuar në këtë varrezë, një vendim për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se u mor për shkak të kushteve të motit. Megjithatë, njoftime të mëvonshme thanë se ish-presidenti Trump u tha ndihmësve të tij se nuk dëshironte të shkonte pasi i shikonte si “humbës” dhe “dështakë” ushtarët e rënë. Ish-presidenti Trump ka mohuar t’i ketë bërë këto komente, megjithëse më vonë u konfirmuan nga ish-shefi i tij i kabinetit në atë kohë, John Kelly.

Këto ofendime për të cilat akuzohet zoti Trump, janë bërë pjesë e rregullt e fjalimeve të fushatës elektorale të presidentit Biden, përfshirë gjatë një tubimi në muajin prill në Scranton të Pensilvanisë.

“Këta ushtarë janë heronj, ashtu si çdo amerikan që i ka shërbyer këtij vendi”, tha presidenti Biden. “Të besosh të kundërtën, mjafton për të të skualifikuar nga ky post publik”.

Presidenti Biden nuk iu përgjigj pyetjes së drejtpërdrejtë në varreza për ish-presidentin Trump, por tha se ishte e rëndësishme që të vizitohet kjo tokë e shenjtë. “Vetëm ideja se do të vija në Normandi dhe nuk do të bëja udhëtimin e shkurtër për të bërë homazhe këtu...”, tha ai.

Pas vizitës emocionale në Francë, presidenti Biden do të marrë pjesë në punimet e takimit të nivelit të lartë të G7-ës, që mbahet në Apulia të Italisë, gjatë datave 13-14 qershor.

XS
SM
MD
LG