Lidhje

Putin: Nuk ka arsye për të përdorur armët bërthamore; rezervojmë të drejtën për të armatosur kundërshtarët e Perëndimit


Zoti Putin duke folur në Forumin Ekonomik në Shën Petersburg, Rusi (7 qershor 2024)
Zoti Putin duke folur në Forumin Ekonomik në Shën Petersburg, Rusi (7 qershor 2024)

SHËN PETERSBURG, Rusi – Presidenti Vladimir Putin tha të premten se nuk shikon aktualisht ndonjë kërcënim ndaj sovranitetit të Rusisë, që do të kërkonte përdorimin e armëve bërthamore. Por, presidenti rus paralajmëroi sërish se Moska mund t’u dërgojë armë vendeve dhe grupeve të tjera për të goditur objektiva perëndimore.

Duke folur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, zoti Putin tha se përdorimi i armëve bërthamore është i mundshëm vetëm “në raste të jashtëzakonshme” dhe se ai nuk beson se “një rast i tillë është shfaqur”. Udhëheqësi rus ka përmendur në mënyrë të përsëritur mundësinë e sulmeve bërthamore, që kur dërgoi forcat ruse në Ukrainë në vitin 2022.

Të premten, ai përsëriti paralajmërimin e bërë disa ditë më parë se Moska “rezervon të drejtën” për të armatosur kundërshtarët e Perëndimit, si një kundërpërgjigje ndaj lejes së dhënës Ukrainës nga disa vende të NATO-s që të përdorë armatimet e tyre për të goditur objektiva brenda Rusisë.

“Nëse dërgojnë (armë) në zonë lufte dhe bëjnë thirrje për përdorim të këtyre armëve ndaj territorit tonë, përse nuk e kemi ne të drejtën të bëjmë të njëjtën gjë?”, pyeti zoti Putin.

“Por nuk jam i gatshëm të them as se do ta bëjmë këtë nesër”, shtoi zoti Putin, duke sugjeruar se kjo mund të ndikonte tek qëndrueshmëria globale.

Presidenti rus nuk dha detaje se ku mund të dërgoheshin këto armë. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia i është drejtuar Koresë së Veriut dhe Iranit për të zgjeruar rezervat e saj të armëve relativisht të thjeshta, por Moska mund t’u dërgojë kundërshtarëve të Perëndimit nga rezervat e saj të raketave të teknologjisë së lartë, nëse zoti Putin vendos ta përmbushë kërcënimin e tij.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e autorizuan kohët e fundit Ukrainën për të goditur disa objektiva në tokën ruse me armët me rreze të gjatë veprimi që po ia dërgojnë Kievit.

Të mërkurën, një zyrtar perëndimor dhe një senator amerikan thanë se Ukraina ka përdorur armë amerikane për të goditur objektiva brenda Rusisë, sipas udhëzimeve të miratuara rishtazi nga presidenti Joe Biden që lejojnë përdorimin e armëve amerikane për të mbrojtur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht për këtë çështje delikate, foli në kushte anonimiteti.

Presidenti rus Putin tha gjithashtu se nuk shikon nevojën për një raund të ri mobilizimi për të përforcuar njësitë ruse në Ukrainë, sepse, tha ai, "njerëzit vijnë vullnetarisht dhe shkojnë në front për të mbrojtur atdheun".

Rusia mobilizoi 300,000 rezervistë në vjeshtën e vitit 2022, pas pësimit të disa humbjeve ushtarake në Ukrainë. Ky vendim jopopullor bëri që qindra mijëra persona të largoheshin nga vendi për të shmangur rekrutimin.

Zoti Putin i bëri komentet gjatë një sesioni me pyetje-përgjigje, me një moderator pro-Kremlinit. Ky forum është përdorur nga Rusia prej dekadash për të demonstruar zhvillimin e vendit dhe për të tërhequr investitorët.

Presidenti rus duke mbajtur fjalimin (7 qershor 2024)
Presidenti rus duke mbajtur fjalimin (7 qershor 2024)

Më herët gjatë një fjalimi, ai tha se ekonomia ruse po rritet pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe tha se Moska po shton lidhjet ekonomike me vendet në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi.

Zoti Putin tha se Rusia “mbetet një nga pjesëmarrësit kryesorë në tregtinë botërore”, pavarësisht sanksioneve gjithëpërfshirëse, të vendosura për dërgimin e forcave ushtarake në Ukrainë, që ndërprenë shumë nga tregtia e Rusisë me Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate.

Shtysa kryesore për rritjen ekonomike të Rusisë janë luftimet – tashmë po aq të rëndësishme ekonomikisht për Kremlinin, sa edhe politikisht.

Rusët kanë humbur disa nga produktet kryesore të importuara dhe shumica e markave të njohura globale janë larguar - ose në vend të tyre janë rikrijuar marka ekuivalente ruse. Por jo shumë gjëra të tjera kanë ndryshuar ekonomikisht për pjesën më të madhe të njerëzve, ndërkohë që vazhdojnë shpenzime masive shtetërore për pajisje ushtarake dhe pagesa të majme për ushtarët vullnetarë, që i japin një shtysë të fortë ekonomisë.

XS
SM
MD
LG