Boeing për herë të parë nisi shërbimin e dërgimit të astronautëve të NASA-s në hapësirë të mërkuren, duke iu bashkuar me vonesë kompanisë SpaceX.
Dy pilotë të NASA-s në bordin e sondës “Starliner” të kompanisë Boeing u nisën nga Stacioni i Forcave Hapësinore në Kepin Kanaveral në Florida drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Udhëtimi i astronautëve Butch Wilmore dhe Suni Williams drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës pritet të zgjasë 25 orë. Ata do të kalojnë pak më shumë se një javë në laboratorin orbital dhe më 14 qershor pritet të kthehen në tokë me sondën “Starliner”.
Nisja e sondës “Starliner” u bë pas dy shtyrjeve të këtij misioni që nga muaj maj për shkak të defekteve me mjetin fluturues.
Astronautët Wilmore dhe Williams, kapitenë të marinës amerikanë, të cilët tashmë kanë vizituar disa herë Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, theksuan vazhdimisht përpara nisjes se kishin besim të plotë në aftësinë e kompanisë Boeing për ta kryer me sukses provën e fluturimit.
Boeing dhe kompania SpaceX e sipërmarrësit Elon Musk nënshkruan kontrata me qeverinë amerikane një dekadë më parë për dërgimin e astronautëve të NASA-s në stacionin hapësinor. Agjencia hapësinore donte dy kompani konkurruese amerikane për dërgimin e astronautëve të saj në hapësirë pas ndërprerjes së programit të fluturimeve me anije hapësinore. NASA pagoi kompaninë Boeing 4.2 miliardë dollarë dhe kompaninë SpaceX mbi 2.5 miliardë dollarë. SpaceX e modifikoi kapsulën që e përdorte për dërgimin e furnizimeve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për të realizuar synimin e dërgimit të astronautëve në hapësirë.
SpaceX nisi astronautët në orbitë në vitin 2020, duke u bërë kompania e parë private që arriti të bënte atë që vetëm tre vende të botës, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, ishin në gjendje ta bënin. Ajo ka dërguar nëntë ekuipazhe të NASA-s në stacionin hapësinor dhe tre grupe private për një kompani të Hjustonit.
Sonda “Starliner” e kompanisë Boeing dhe ajo “Dragon” e kompanisë SpaceX mund të operojnë në mënyrë plotësisht autonome dhe mund të ripërdoren. Astronautët Wilmore dhe Williams herë pas here do të marrin kontrollin sistemeve të sondës Starliner gjatë fluturimit të tyre drejt Stacionet Ndërkombëtar të Hapësirës.
Nëse misioni do të jetë i suksesshëm, NASA do të përdorë me radhë shërbimet e kompanive SpaceX dhe Boeing për fluturimet në hapësirë, duke filluar nga viti i ardhshëm.