Sllovenia është vendi më i fundit evropian që njeh shtetin palestinez. Parlamenti slloven votoi të martën në mbështetje të kërkesës së qeverisë për të njohur shtetin palestinez, duke pasuar vendimet e ngjashme të Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë.
Kryeministri i Sllovenisë ka thënë se ka përshpejtuar përpjekjet për të njohur shtetin e Palestinës si reagim ndaj zgjerimit të operacioneve të Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Ofensiva njëmujore ka ndërprerë hyrjen e shumicës së kamionëve në Gazë me ndihma ushqimore, ilaçe dhe artikuj të tjerë për palestinezët që po përballen me urinë.
Në Gazën qendrore, ushtria izraelite tha të martën se trupat e saj të mbështetura nga sulmet ajrore kanë nisur një operacion tokësor në kampin e refugjatëve Bureij. Zyrtarët lokalë të spitalit thanë se një sulm në këtë kamp urban refugjatësh shkaktoi vrasjen e 11 palestinezëve, duke përfshirë tre fëmijë dhe një grua.
Sulmet ajrore izraelite dhe ofensivat tokësore në të gjithë Rripin e Gazës ndodhin në një kohë kur ndërmjetësit ndërkombëtarë po presin që Izraeli dhe Hamasi t'i përgjigjen një propozimi të ri për armëpushim dhe lirim të pengjeve, sipas Katarit, i cili ka luajtur një rol kyç në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara.
Gjatë njoftimit të propozimit javën e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden tha se plani me tre faza ishte paraqitur nga izraelitët, megjithatë udhëheqësit izraelitë që atëherë janë distancuar nga propozimi dhe janë zotuar të vazhdojnë luftën për shkatërrimin e Hamasit.
Në operacionet e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 36 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila në shifrat e saj nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve.
Izraeli e filloi luftën në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Rreth 80 pengje të rrëmbyer më 7 tetor besohet se janë ende gjallë në Gazë, ndërsa 43 të tjerë kanë vdekur.