Lidhje

Presidenti Biden nënshkruan urdhrin ekzekutiv që ul numrin e azilkërkuesve në kufirin me Meksikën


Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që kufizon ndjeshëm numrin e personave që kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

Nënshkrimi i këtij urdhri, parashikon një mbyllje të menjëhershme të kufirit sapo mesatarja e hyrjeve ditore në pikat kufitare, të arrijë në 2,500 vetë. Aktualisht ky numër është shumë më i madh.

Presidenti e nxori urdhrin ekzekutiv bazuar në nenin që njihet si ‘212 pika f’ e ligjit të miratuar para 72 vitesh mbi Imigracionin dhe Shtetësinë, i cili i jep presidentit kompetenca të gjera për të bllokuar hyrjen në vend të imigrantëve, pavarësisht nga lloji i vizave, kur një gjë e tillë besohet se “mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Ish-Presidenti Donald Trump u mbështet tek ky nen për disa nga veprimet e tij më të ashpra mbi imigracionin, përfshirë të ashtuquajturin "ndalimi i myslimanëve", kur ai ndaloi hyrjen në SHBA, të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane, apo kur zbatoi politikën e "tolerancës zero" për kalimin e paligjshëm të kufirit. Kjo e fundit çoi në ndarjen e mijëra fëmijëve nga prindërit e tyre. Ish-Presidenti Trump ka premtuar se do të rikthejë politikën e vijës së ashpër mbi imigracionin, nëse ai rizgjidhet në nëntor.

Presidenti Biden po i ndërmerr këto masa pas refuzimit në muajin shkurt të një projektligji dypartiak mbi sigurinë e kufirit nga shumica e republikanëve në Senat e disa demokratë. Edhe zoti Trump e kundërshtoi hapur projekligjin.

XS
SM
MD
LG