Lidhje

SHBA dhe Kina vazhdojnë dialogun në takimin e Singaporit


Zyrtarë amerikanë dhe kinezë të mbrojtjes ofruan qëndrime të ndryshme për Azinë, ndonëse ranë dakord të mbanin të hapura kanalet e komunikimit, gjatë takimit në Singapor për sigurinë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, takimi i ministrave të mbrojtjes që njihet me emrin Forumi Shangri-La përfundoi të dielën në Singapor, ku palët u pajtuan se duhet vazhduar komunikimin me njëri tjetrin, por nuk munguan akuzat sidomos ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

Në Singapor u mbajt takimi i parë ballë për ballë i shefit të Pentagonit, Lloyd Austin, me homologun e tij kinez, Ministrin e Mbrojtjes Dong Jun.

Kina kishte refuzuar deri vonë mbajtjen e bisedimeve të këtij niveli.

“Kemi qenë gjithmonë të hapur për shkëmbime dhe bashkëpunim, por kjo kërkon që të dyja palët të bëjnë kompromis”, thotë shefi i mbrojtjes kineze, Dong Jun.

Disa dallime ishin të patejkalueshme në këtë takim ndërsa zyrtarët kinezë u hodhën në sulm.

“Faktet tregojnë se Uashingtoni është korruptuesi më i madh i rendit ndërkombëtar, pengesa më e madhe për përparim në qeverisjen globale dhe sfida më e madhe për paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha Jing Jiangfeng, gjeneral i ushtrisë kineze.

Shefi i Pentagonit, Lloyd Austin këmbënguli se lufta është e shmangshme dhe dialogu është i nevojshëm.

“Nuk ka mundësi që çdo bisedë që bëhet të jetë një bisedë e lumtur. Është e rëndësishme megjithatë që ne të vazhdojmë të flasim me njëri-tjetrin”, thotë Sekretari Austin.

Disa prej temave që të dy vendet mund t’i diskutojnë përfshijnë kërcënimet ushtarake të Kinës kundër Tajvanit.

Në Detin e Kinës Jugore, anijet kineze kanë ngacmuar anije shumë më të vogla filipinase, duke ngritur shqetësimin se kjo mund të aktivizojë traktatin e mbrojtjes SHBA-Filipine që kërkon që të dy vendet të mbështesin njëri-tjetrin nëse një palë tjetër sulmon Filipinet ose Shtetet e Bashkuara.

“Nëse një qytetar filipinas vritet nga një veprim i qëllimshëm që është shumë i përafërt me atë që ne e përkufizojmë si një akt lufte, ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, tha Presidenti i Filipineve Ferdinand Marcos Jr.

Këto çështje të ndjeshme e bëjnë edhe më të rëndësishme për Uashingtonin dhe Pekinin që të vazhdojnë të bisedojnë, thonë shumë analistë rajonalë.

“Temperaturat po ulen, edhe pse nuk duhet të kemi iluzionin se problemet do të zgjidhen sepse këto janë probleme komplekse. Përparësia tani është ulja e tensioneve, dërgimi i mesazheve të duhura për ndërtim të besimit, si dhe më shumë dialog”, thotë profesori i Universitetit Kombëtar të Singaporit, Lim Tai Wei.

Të paktën tani për tani, Kina po pranon të vazhdojë ato takime.

XS
SM
MD
LG