Lidhje

Turqia kthen sytë nga Rusia, Kina për energjinë bërthamore


Zona e ndërtimit të centralit bërthamor Akkuyu në Mersin të Turqisë 3 prill 2018
Zona e ndërtimit të centralit bërthamor Akkuyu në Mersin të Turqisë 3 prill 2018

Turqia ka njoftuar se do të vërë në funksionim këtë vit centralin e saj të parë bërthamor. Centrali ka një reaktor bërthamor të prodhuar nga specialistë rusë dhe ka tashmë plane për një central të dytë që do të ndërtohet po me ndihmën e Rusisë. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Turqia mund t’i drejtohet edhe Kinës për ta ndihmuar për ndërtimin e një centrali të tretë.

Turqia kthen sytë nga Rusia, Kina për energjinë bërthamore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00


Kompania ruse “Rosatom” është pranë përfundimit të centralit të parë bërthamor të Turqisë dhe Ankaraja thotë se ka plane për ndërtimin e një centrali të dytë bërthamor me teknologjinë e Rusisë.

Ndërsa shtohen sanksionet e qeverive perëndimore ndaj Rusisë, analistët thonë se energjia bërthamore është çelësi që Moska të shmangë izolimin financiar.

“Rosatomi nuk gjendet vetëm në Turqi; është edhe në Hungari, Finlandë, Egjipt dhe Arabi Saudite dhe do që të dalë me sukses projekti në Turqi, që të shërbejë si shembull për të tjerët. Prandaj, Putini do t’i bëjë trysni maksimale Erdoganit”, thotë Mehmet Ogutcu, nga Klubi Energjitik i Londrës.

Stacioni bërthamor në Akkuyu është bërë një simbol i rëndësishëm i forcimit të marrëdhënieve mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Ankaraja është e vendosur që ta ulë varësinë e saj nga energjia e importuar dhe analistët thonë se nuk ka shumë alternativa përveç Rusisë – vendi i vetëm që ishte i gatshëm ta financonte këtë projekt prej 20 miliardë dollarësh.

“Problemi është se Perëndimi nuk është gati të investojë në Turqi. Pra do të ishim më se të kënaqur që kompani japoneze, evropiane, apo amerikane të ndërtonin, apo të ndihmonin për ndërtimin e infrastrukturës energjitike të Turqisë, përfshirë atë bërthamore. Por ata nuk janë të gatshëm të financojnë projekte të tilla madhore”, thotë Mithat Rende, konsulent për energjinë.

Megjithatë, ekspertët po ngrenë pikëpyetje ndaj vendimit për të rritur varësinë e Turqisë nga energjia ruse.

“Turqia mbështetet së tepërmi tek Rusia për gazin natyror, naftën e papërpunuar, qymyrgurin dhe produkte të tjera petro-kimike. Dhe politikisht është një marrëdhënie goxha e ngrohtë. Nuk është ide e mirë rikthimi tek ndërvarësia nga Rusia me këto centrale bërthamore. Pasi sot mund të kesh miqësi me Putinin, por Zoti e di se ç’do të ndodhë pas dy apo tre viteve”, thotë zoti Ogutcu.

Ankaraja ka filluar gjithashtu bisedime me Kinën dhe Korenë e Jugut për ndërtimin e një reaktori të tretë. Analistët thonë se për Kinën, një projekt i tillë do të ishte në përputhje me strategjinë e re të Pekinit për të mbështetur projekte të mëdha infrastrukturore.

“Strategjia e ndryshuar është që të investohet në energjinë e gjelbër dhe nënkuptoj me këtë energji të ripërtëritshme. Kinezët janë shumë aktivë në këtë drejtim. Kompanitë kineze janë bërë vërtet shumë konkurruese. Nëse realizohet, do të ishte një ndër investimet më të rëndësishme kineze, jo vetëm në Turqi, por mendoj edhe në rajon”, thotë Cardas Ungor, nga Universiteti i Marmarasë.

Por analistët paralajmërojnë se aleatët perëndimorë të Turqisë do të shqetësohen nga angazhimi afatgjatë i Ankarasë me projekte të mëdha energjitike të Rusisë dhe Kinës, ndërsa vazhdojnë tensionet me Moskën dhe Pekinin.

XS
SM
MD
LG