Seuli paralajmëroi qytetarët që të shmangin balonat që Pheniani vazhdon të dërgojë në hapësirën jugkoreane dhe të lajmërojnë autoritetet policore ose ushtarake, nëse i shohin ato.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut po dërgon në qiellin jugkorean balona të tjera të mbushura me mbeturina.
Më herët gjatë kësaj jave, Koreja e Veriut lëshoi disa qindra balona që përmbanin jashtëqitje dhe mbeturina të tjera, duke i cilësuar si një "dhuratë të sinqertë" dhe u zotua se do të dërgonte të tjera.
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Shin Won-sik, e cilësoi sot aktin “një sjellje të ulët, të paimagjinueshme".
Përmes një mesazhi publik, qytetarëve të Seulit u është kërkuar që të mos i preknin balonat ndërsa u njoftua se ushtria ishte angazhuar për heqjen e tyre. Ministria e Mbrojtjes tha se edhe rajoneve të tjera u është kërkuar që të shpërndajne të njëjtin mesazh.
Koreja e Veriut ka thënë se lëshimi i balonave u bë në kundërpërgjigje të një fushate nga kritikë dhe aktivistë të Koresë së Jugut që dërguan nga ana tjetër e kufirit balona që mbanin fletëpalosje kundër Phenianit, si edhe USB me përmbajtje të ndryshme muzikore, televizive, filmike apo letrare të Koresë së Jugut.