Rusia ndërmori një valë sulmesh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës duke vënë në objektiv sektorin energjitik dhe infrastrukturën kritike të atij vendi. Sulmet ruse plagosën të paktën 4 persona, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore.
Sulmi i gjashtë i rëndë i Rusisë ndaj kapaciteteve energjitike të Ukrainës që prej muajit mars dëmtoi objekte të këtij sektori në lindje, qendër dhe perëndim të vendit, njoftuan zyrtarët ukrainas.
Forcat ajrore ukrainase njoftuan se eliminuan 35 nga 53 raketat ruse dhe 46 nga 47 dronët që u përdorën për sulmin, i cili shton edhe më shumë vështirësitë për sektorin e dëmtuar energjetik të Ukrainës, në vitin e tretë të luftës.
“Synimi kryesor i Rusisë është të shtojë terrorin, të shfrytëzojë mungesën e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe mungesën e vendosmërisë së partnerëve të Ukrainës”, tha Presidenti Zelenskyy përmes një mesazhi në rrjetin Telegram. “Partnerët e dinë shumë mirë se për çfarë kemi nevojë. Sisteme shtesë Patriot të mbrojtjes ajrore dhe sisteme të tjera moderne. Duhet përshpejtuar dërgimi dhe shpërndarja e avionëve luftarakë F-16. Ushtarëve tanë duhet t’i vihen në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme”, tha ndër të tjera presidenti ukrainas.
Gjatë këtij viti, Ukraina ka qenë nën trysni të vazhdueshme dhe në disavantazh ndërsa përballet me vonesa të ndihmave për mbrojtjen ajrore nga Shtetet e Bashkuara, intensifikim të sulmeve ndaj infrastrukturës së saj dhe përpjekjeve të trupave ruse për të zgjeruar sulmin në vijën e frontit.
Të shtunën, forcat ruse sulmuan objektet e infrastrukturës energjitike në rajonin lindor të Donetskut, rajonet juglindore të Zaporizhzhias dhe Dnipropetrovskut, në atë qendror Kyrovohrad dhe në rajonin perëndimor, Ivano-Frankivsk, njoftoi ministria e Energjisë.
Alarmet për sulme ajrore zgjatën më shumë se tre orë në të gjithë rajonet dhe shumë banorë vrapruan drejt strehave të mbrojtjes, në mes të natës.
Guvernatori rajonal i Lvivit Maksym Kozytskyi tha se katër persona u lënduan dhe tre objekte të insfrastrukturës kritike u goditën në rajonin ukrainas në kufi me Poloninë. Ai nuk dha më tepër hollësi mbi objektet e goditura.
Operatori më i madh privat i energjisë elektrike në Ukrainë, DTEK tha se tha se dy termocentralet të saj ishin goditur dhe pajisjet ishin "dëmtuar rëndë".
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se po godet strukturat ushtarake-industriale të Ukrainës dhe objektet energjetike të saj në shenjë hakmarrjeje për sulmet e Kievit ndaj objekteve energjetike të Rusisë.