Partitë populiste të krahut të djathtë pritet të shënojnë rritje në zgjedhjet treditore për Parlamentin Evropian që fillojnë më 6 qershor në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ato po shfrytëzojnë zemërimin e votuesve dhe mungesën e besimit ndaj partive në pushtet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant, analistët parashikojnë që ky ndryshim do të ndikojë në politikat e BE-së për ambientin, ekonominë, migracionin dhe politikën e jashtme, përfshirë përkrahje të zbehur për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
Tregu i së dielës në Souppes-sur-Loing, rreth 100 kilometra në jug të Parisit, është vend i mirë për t’u takuar me banorët, sidomos në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që do të mbahen në Francë më 9 qershor.
Vite më parë, shumë prej këtyre votuesve do të hezitonin të bisedonin me anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë “National Rally”. Por jo tani. Zëri i Amerikës bisedoi me disa votues francezë.
“Duhet bërë diçka sepse jetesa është bërë shumë vështirë. Në të kaluarën kam votuar për partinë “National Rally” dhe nuk më vjen turp ta them dhe do t’i përmbahen këtij qëndrimi”.
Sipas anketave, partia “National Rally” mund të fitojë rreth një të tretat e vendeve që i takojnë Francës në Parlamentin Evropian … dyfishi i përkrahjes që gëzon partia në pushtet e Presidenti Emmanuel Macron.
Ivanka Estaben është mbështetëse e partisë “National Rally”.
“Këto lloj qeverish globaliste, me ide tejet liberale, që nganjëherë nuk respektojnë çështjet që u interesojnë njerëzve – e kanë neveritur popullin me këto politika”.
Nën drejtimin e udhëheqëses Marine Le Pen, partia “National Rally” është një veriant më i butë i fillimeve të kësaj rryme kundër emigracionit. Ajo po përqëndrohet në çështjet themelore si vendet e punës dhe ekonomia dhe tani nuk po flet për daljen nga Bashkimi Evropian por për strukturimin e bllokut.
“Të gjitha rrethanat e favorizojnë partinë “National Rally”. Kjo parti nuk ka qënë kurr në pushtet e vetme apo në koalicion. Shumë votues duan ta provojnë udhëheqjen e kësaj partie dhe nëse nuk janë të kënaqur mund të votojnë kundër tyre”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Jean Yves Camus.
Kjo parti ka edhe një avantazh të fuqishëm, 28 vjeçarin Jordan Bardella, i cili kryeson listën për zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Ai e ka rinuar partinë, në përpjekje për të joshur votuesit e gjeneratës së re.
“Bardella është i aftë, i fuqishëm, i vulletshëm dhe nuk ka një të kaluar nga rrymat ekstreme”, thotë analisti Camus.
Por jo të gjithëve u pëlqen ajo çfarë përfaqëson zoti Bardella. Francezët e moshuar që përjetuan agresionin nazist kanë dyshime ndaj prirjeve nacionaliste.
Tregtari Ndongo Mbaye, me origjinë nga Senegali, është kundër politikave të ashpra të partisë së ekstremit të djathtë ndaj çështjeve të emigracionit. Fëmijët e tij janë francezë.
“Gjyshi im është 100 vjeçar. Ai luftoi në krahun e Francës kundër gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk pajtohem me politikën e tyre kundër emigracionit”.
Partia “National Rally” dhe partitë e tjera të djathta mbase do të festojnë pas këtyre zgjedhjeve. Por analistët si zoti Camus thonë se fitorja e tyre në zgjedhjet e bllokut nuk do të thotë se ata do t’i fitojnë zgjedhjet kombëtare në Francë, apo ato presidenciale që do të mbahen në vitin 2027.