Duke refuzuar të mërkurën të tërhiqej nga dy çështje të rëndësishme që po trajton Gjykata e Lartë, anëtari i kësaj gjykate, Samuel Alito ofroi një pamje mbi procesin e paqartë mbi të cilin gjykatësit vendosin të largohen nga një çështje.
Zoti Alito u përball me thirrje nga demokratët për t’u tërhequr nga dy çështje, njëra që përfshin ish-presidentin Donald Trump dhe tjera, të pandehurit e 6 janarit. Shkaku ishte përdorimi i dy flamujve, që janë valëvitur mbi shtëpitë e tij.
Të dy flamujt, ishin të ngjashëm me ata që mbanin personat që sulmuan dhunshëm Kapitolin në janar të vitit 2021, si simbol i pretendimeve të rreme të ish-presidentit Trump për manipulime në zgjedhje.
Incidentet me flamut vijnë ndërsa gjykata po shqyrton çështjet që lidhen me trazirat e 6 janarit, përfshirë akuzat ndaj atyre që sulmuan dhunshëm Kongresin, si dhe nëse zoti Trump gëzon imunitet nga ndjekja penale, mbi akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.
Në një letër drejtuar Kongresit, gjykatësi Alito shkruante se ai nuk ishte fare i përfshirë në rastin e flamurit që u valëvit kokë-poshtë mbi shtëpinë e tij në vitin 2021, apo të flamurit tjetër, të vendosur në shtëpinë e tij të plazhit në Nju Xhersi, vitin e kaluar. Flamuri shkruante "Apel Parajsës" dhe i përkiste lëvizjes “Stop Vjedhjen", anëtarët e së cilës refuzonin pa fakte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që zoti Trump i humbi.
Ai tha se bashkëshortja e tij, Martha-Ann, ishte përgjegjëse për të dy flamujt dhe shtoi se në dë dyja rastet nuk kishte dyshime te arsyeshme për të vënë në pikëpyetje paanshmërinë e tij.
Ky shpjegim nuk ka gjasa të kënaqë kritikët demokratë, por ata kanë pak në dorë për ta ndryshuar situatën.
A ka një ligj mbi këtë çështje?
Po ka, siç ka dhe një kod etik të miratuar së fundmi nga Gjykata e Lartë që udhëzon gjykatësit, por që nuk i detyron ata.
Ligji për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë gjyqtarët e tjerë federalë parashtron disa kritere se kur ata duhet të tërhiqen nga një çështje.
Gjuha e përdorur në ligj, që do të vlente në rastin e zotit Alito, thotë "Çdo gjykatës i Shteteve të Bashkuara duhet të skualifikojë veten nga çdo çështje, për të cilën ka dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë e tij".
Kodi i sjelljes i Gjykatës së Lartë thotë se një anëtar i saj, e ka për detyrë të marrë pjesë në gjykimin e çështjeve, pasi anëtarët e Gjykatës së Lartë ndryshe nga gjyqtarët e gjykatave të ulëta, nuk mund të zëvendësohen kur ka një konflikt interesi.
Kodi i Gjykatës së Lartë ndryshon nga ligji federal, duke thënë se një gjykatës “mundet” dhe jo “duhet” të skualifikojë veten. Në të thuhet gjithashtu se vetëm një person i paanshëm dhe i drejtë, i cili është "i vetëdijshëm për të gjitha rrethanat e duhura", mund të kërkojë me të drejtë tërheqjen nga çështja”.
Kush vendos?
Anëtarët e Gjykatës së Lartë vendosin vetë nëse dhe kur do tërhiqen nga një çështje. Në raste të rralla, është njera prej palëve në një çështje që mund t’i kërkojë gjykatësit ta bëjë një gjë të tillë.
Një shembull i qartë i kësaj ishte kur organizata ambientaliste “Sierra Club” i kërkoi gjykatësit Antonin Scalia të tërhiqej nga një çështje e vitit 2004, në lidhje me një grup pune për energjinë, krijuar nga nënpresidenti i atëhershëm Dick Cheney, pas njoftimeve se zoti Scalia dhe zoti Cheney, miq të vjetër, kishin shkuar së bashku për gjueti.
Zoti Scalia shkroi plot 21 faqe duke shpjeguar vendimin e tij për të mos u tërhequr nga çështja. Ai bërë të ditur se e kishte pranuar ftesën për të shkuar për gjueti në Luiziana, me aeroplanin qeveritar të zotit Cheney, por mohoi të kishte diskutuar për çështje serioze me të.
"Nëse mund të mendohet se një anëtar i Gjykatës së Lartë mund të blihet kaq lirë, kombi ka probleme edhe me të thella nga sa e kisha imagjinuar", shkruante zoti Scalia.
“Meqenëse nuk besoj se paanshmëria ime mund të vihet në dyshim në mënyrë të arsyeshme, nuk mendoj se do të ishte e përshtatshme që unë të tërhiqesha”, shkruante ai më tej.
Në fund të fundit, pasoja e vetme për një gjykatës që refuzon të tërhiqet, është ngritja e akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe zhvillim i gjyqit në Senat për të vendosur shkarkimin, gjë që nuk ka ndodhur kurrë.
Shpjegimi i zotit Alito
Zoti Alito vuri në dukje kodin etik të Gjykatës së Lartë për të shpjeguar se gjykatësit kanë detyrimin të marrin pjesë në një çështje, përveç rasteve kur ka dyshime te arsyeshme mbi paanshmërine e tyre. Në këtë rast, tha ai, kushdo që nuk "është i motivuar politikisht ose ideologjikisht, ose nga një dëshirë për të ndikuar në rezultatin e çështjeve që trajton Gjykata e Lartë", do ta kuptonte se kodi nuk kërkon tërheqjen nga çështja.
Gjykatësi shkruante se në të dyja rastet, flamujt ishin valëvitur nga bashkëshortja e tij dhe jo për t'u identifikuar me personat që sulmuan Kapitolitn ose me lëvizjen “Stop Vjedhjes". Zoti Alito tha se nuk ishte në dijeni të lidhjes së flamurit që shkruante "Apel Parajsës", me përpjekjet për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Ai tha se në vitin 2021, i kishte kërkuar gruas së tij ta hiqte flamurin amerikan që valëvitej kokëposhtë, por ajo refuzoi për disa ditë ta bënte një gjë të tillë.
Zoti Alito mbrojti të drejtën e bashkëshortes së tij për t'u shprehur dhe gjithashtu foli për ato që i quajti sakrifica që ajo ka bërë për shkak të detyrës se tij si anëtar i Gjykatës e Lartë, përfshirë “fyerjet e turpshme e personale përpara shtëpisë, që vazhdojnë sot e kësaj dite dhe që kërcënojnë të përshkallëzohen”, tha ai.
Por a janë tërhequr ndonjëherë anëtarët e Gjykatës së Lartë?
Po, një gjë e tillë ndodh gjatë gjithë kohës. Së fundmi, gjykatësi Brett Kavanaugh deklaroi se po hiqte dorë, nga çështje që çoi në një vendim të gjykatës, për t’i refuzuar apelimin, avokatit Michael Avenatti, për dënimin e tij nën akuzat për përpjekje për të zhvatur 25 milionë dollarë nga kompania ‘Nike’. Edhe pse zoti Kavanaugh nuk i bëri publike arsyet e këtij vendimi, duket se ai u tërhoq sepse zoti Avenatti përfaqësoi një nga gratë që e akuzuan zotin Kavanaugh, për ngacmime seksuale, në kohën që kandidatura e tij për Gjykatën e Lartë po shqyrtohej në Kongres.
Shembuj të tjerë janë kur gjyqtarët, përfshirë edhe zotin Alito, kanë qoftë edhe një investim të vogël në një kompani, dhe ato kanë një çështje në gjykatë. Vitin e kaluar, zoti Alito nuk mori pjesë në një apel që përfshinte kompaninë ‘Phillips 66”. Ai nuk e shpjegoi vendimin e tij, por dokumentet financiare të tij tregojnë se ai zotëron 15,000 deri 50,000 dollarë në aksione tek kjo kompani.
Një arsye tjetër e zakonshme për t’u tërhequr është kur gjykatësit kanë trajtuar çështje që lidhen me pozita që kanë mbajtur më parë, qoftë në degën ekzekutive ose si gjyqtarë të gjykatave më të ulëta. Javën e kaluar, gjykatësja Ketanji Brown Jackson dhe zoti Kavanaugh u tërhoqën nga një çështje që lidhej me ish të burgosurin e Guantanamos, Omar Khadr, çështja e të cilit kishte qenë më parë para gjykatës federale të apelit në Uashington. Si zonja Jackson ashtu edhe zoti Kavanaugh kanë shërbyer të dy në këtë gjykatë. Zonja Jackson vuri në dukje arsyen e tërheqjes të saj, por zoti Kavanaugh nuk e bëri një gjë të tillë.