Lidhje

Sinjale për ndryshim domethënës politik në Afrikën e Jugut


Rezultatet vijojnë të shfaqen në sallën e komisionit qendror të zgjedhjeve të Afrikës së Jugut
Rezultatet vijojnë të shfaqen në sallën e komisionit qendror të zgjedhjeve të Afrikës së Jugut

JOHANESBURG – Rezultatet e pjesshme në zgjedhjet e përgjithshme të Afrikës së Jugut tregojnë se partia në pushtet Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC) mund të marrë për herë të parë në dekada nën 50%, të votave sipas numërimit deri të enjten. Kjo parti mund ta humbasë shumicën për herë të parë që nga koha kur erdhi në pushtet nën drejtimin e Nelson Mandelës, me përfundimin e aparteidit në vitin 1994.

Ndërsa janë numëruar rreth 20% e votave, kjo është sidoqoftë vetëm një pamje e pjesshme e rezultatit të votimeve që u bënë të mërkurën. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, që mund të sjellin ndryshimin më të madh politik në demokracinë e re të Afrikës së Jugut, pritet të dalin pas disa ditësh. Komisioni i pavarur i zgjedhjeve ka thënë se rezultati do të jepet të dielën, megjithëse mund të shpallet edhe më herët.

Afrikanojugorët po presin me padurim të shohin nëse vendi i tyre, me ekonominë më të përparuar të Afrikës, do të përjetojë ndryshime domethënëse. Disa analistë thanë se rezultatet e hershme tregonin një panoramë të pashfaqur më parë, rënien nën nivelin 50% të votave për partinë dominuese Kongresi Kombëtar Afrikan.

Në qendrën zgjedhore në Western Cape
Në qendrën zgjedhore në Western Cape

“Mendoj se po shohim një ndryshim masiv në politikën e Afrikës së Jugut”, tha profesorja Susan Booysen për kanalin televiziv kombëtar SABC TV.

Komisioni zgjedhor njoftoi një pjesëmarrje prej 70% të votuesve, krahasuar me 66% në zgjedhjet e mëparshme të përgjithshme të mbajtura në vitin 2019. Kongresi Kombëtar Afrikan fitoi 57.5% të votave në zgjedhjet e vitit 2019, rezultati më i dobët historik i kësaj partie.

Zgjedhjet e tanishme u panë si një referendum i drejtpërdrejtë për qëndrimin e pandërprerë në pushtet të Kongresit Kombëtar Afrikan. Kjo parti mbart meritat e çlirimit të Afrikës së Jugut nga regjimi shtypës dhe racist i aparteidit, duke fituar në zgjedhjet e mirënjohura të vitit 1994, kur morën pjesë në votime të gjitha racat. Megjithatë, kjo parti ka përjetuar një rënie të vazhdueshme të popullaritetit të saj gjatë 20 viteve të fundit.

Viti i tanishëm mund të shërbejë si një pikë kthese, kur pjesa më e madhe e afrikanojugorëve mund të largohen nga mbështetja për Kongresin Kombëtar Afrikan dhe mund të mos i japin kësaj partie shumicën për herë të parë.

XS
SM
MD
LG