Lidhje

Gëzim dhe zemërim pas njohjes së shtetit palestinez nga tre vende evropiane


Ndërsa vazhdon lufta në Gazë, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njohën këtë javë zyrtarisht shtetin e Palestinës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, njofton nga Jeruzalemi se, siç pritej, palestinezët i mirëpritën zhvillimet, ndërsa Izraeli i dënoi ashpër.

Gëzim dhe zemërim pas njohjes së shtetit palestinez nga tre vende evropiane
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Irlanda, Norvegjia dhe Spanja iu bashkuan kështu mbi 140 vendeve që tashmë e njohin shtetin palestinez.

“Njohja nuk është një gjest simbolik. Është një hap ligjor dhe politik. Një angazhim që e ndërmarrin vendet. Ka të bëjë me njohje territoresh, kufijsh, sovraniteti dhe si të tilla kanë pasoja ligjore dhe logjistike për këto vende”, thotë gazetarja palestineze Nour Odeh.

Izraelitët kanë reaguar me zemërim. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti një shpërblim për terrorizmin.

Disa analistë izraelitë e interpretojnë si një evidencë e mëtejshme se busulla morale e botës është çorientuar.

“Akti i jashtëzakonshëm i njohjes së një shteti palestinez pas vrasjeve më të rënda masive brenda një dite në historinë moderne politike ndaj një vendi demokratik, nënvizon absurditetin, madje unë do e quaja edhe vendimin diplomatikisht të dhunshëm që kanë marrë këto vende”, thotë Dan Diker, nga Qendra e Jeruzalemit për Politikën e Jashtme.

Anketimet sugjerojnë se mbi tre të katërtat e publikut izraelit nuk mbështesin një shtet palestinez, pas sulmit të 7 tetorit, kur Hamasi sulmoi mbi 20 komunitete izraelite dhe vrau rreth 1200 persona.

Që atëherë vazhdon një luftë e përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit, që ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se ka vrarë 36 mijë palestinezë.

Disa analistë izraelitë thonë se njohja nga tre vende evropiane e bën sërish tematikë diskutimi idenë e një zgjidhjeje me dy shtete.

“Njohja e Palestinës dhe futja e Palestinës në Kombet e Bashkuara si një vend anëtar, fillon një proces ku, nëse do të riktheheshim tek negociatat, çështja e shtetësisë palestineze është e vendosur. Izraeli nuk ka më veton ndaj çështjes së shtetësisë palestineze”, thotë Gershon Bashkin, ish-negociator i Izraelit me Hamasin dhe mbështetës i hershëm i idesë së një shteti palestinez.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane mbështesin idenë e një shteti të ardhshëm palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Gazë, pas vendosjes së armëpushimit dhe lirimit të të gjitha pengjeve izraelite. Por, ato janë gjithashtu kundër njohjeve të njëanshme të një shteti palestinez.

XS
SM
MD
LG