Lidhje

Washington Post pranon se e kishte prej tre vjetësh lajmin për flamurin para shtëpisë së gjykatësit Alito


Nëntë ditë pasi gazeta New York Times njoftoi se në shtëpinë e anëtarit të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara Samuel Alito, ishte parë një flamur amerikan i vendosur kokëposhtë, një veprim me simbolikë politike, gazeta Washington Post pranoi se kishte pasur të njëjtin lajm mbi tre vjet më parë dhe vendosi të mos ta botojë.

Artikulli i gazetës Washington Post, është njëkohësisht një shembull i jashtëzakonshëm i një analize të brendshme gazetareske dhe një ilustrim i ndryshimit dramatik të mënyrës së mbulimit të Gjykatës së Lartë, që nga incidenti me flamurin që ndodhi menjëherë pas sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.

Atë ditë, disa nga demonstruesit që marshuan në mbështetje të ish-presidentit Donald Trump e mbanin flamurin kokëposhtë. Të dyja gazetat njoftuan se i njëjti simbol u shfaq jashtë shtëpisë së gjykatësit Alito në rrethinat e Virxhinias, përpara inaugurimit të Presidentit Joe Biden.

Gjykatësi ka thënë se ishte gruaja e tij, Martha-Ann Alito, që e kishte vënë flamurin kokëposhtë për të shprehur pakënaqësinë pas një mosmarrëveshjeje me fqinjët, të cilët kishin vendosur në oborr shenja me mesazhe fyese drejtuar tyre.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë tradicionalisht shmangin shfaqjen e hapur të simboleve politike, për të ruajtur imazhin e neutralitetit në mosmarrëveshjet politike që mund t’u duhet të shqyrtojnë. Për gazetarët, pyetja që shtrohet është nëse familja e një zyrtari publik duhet mbajtur përgjegjëse për të njëjtat standarde si edhe vetë zyrtari.

Washington Post bën një pohim befasues

Gazeta New York Times, në artikullin që botoi më 16 maj të këtij viti, tha se kishte fotografitë e flamurit para shtëpisë së gjykatësit Alito i kishte siguruar javët e fundit.


Washington Post, në një artikull të shtunën, tha se kishte marrë informacion për incidentin në janar 2021 dhe pasi kishte investiguar, kishte arritur në përfundimin për të mos njoftuar për të, sepse dukej se ishte bashkëshortja e gjykatësit Alito ajo që e kishte vënë kokëposhtë flamurin dhe se nuk ishte e qartë nëse mosmarrëveshja me fqinjët kishte natyrë politike.

Në një farë kuptimi, botimi i artikullit nga Washington Post të shtunën mund të shihet si pranim nga ana e gazetës se duhet ta kishte trajtuar ndryshe këtë ngjarje në vitin 2021, thotë redaktorja aktuale ekzekutive, Sally Buzbee, e cila nuk punonte në gazetë kur u mor vendimi. Nga ana tjetër artikulli i tanishëm i WP mund të synojë thjesht të sqarojë atë që ndodhi, pa gjykuar vendimin e para tre viteve.

Por a do të ishte botuar ajo nëse New York Times, konkurrente e gazetës Washington Post nuk do të kishin njoftuar për incidentin?

"Ishte një pohim befasues nga një organizatë kaq e madhe mediash," thotë Jesse Holland, zëvendës dekan i Fakultetit të Medias dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin George Washington, dhe ish-korrespondent i Gjykatës së Lartë, duke iu referuar artikullit të WP. "Shumë, shumë rrallë ndodh që një organ madhor mediash të pranojë se ndoshta duhet të kishte marrë një vendim të ndryshëm”, shton ai.

Megjithatë, gazeta Washington Post nuk thotë shprehimisht asgjëkundi në artikullin e saj se kishte gabuar para tre vjetësh dhe një zëdhënës i saj nuk pranoi të jepte hollësi të martën.

Një ish-redaktor menaxhues i gazetës pranon se mori vendimin

Media Semafor njoftoi se Cameron Barr, që ishte redaktor menaxhues gjatë periudhës së tranzicionit të tensionuar presidencial, tha se merrte përgjegjësinë për vendimin. Ai sqaroi se u sugjeroi gazetarëve të shkruanin për mosmarrëveshjet në lagjen ku banon familja Alito dhe ta përdorte flamurin thjesht si një nga elementët e artikullit. Por kjo nuk u bë dhe zoti Barr shprehu keqardhjen që nuk ngulmoi më shumë. Ai u largua nga posti në gazetë në vitin 2023.

Kathleen Culver, drejtore e Qendrës për Etikën e Gazetarisë në Universitetin e Viskonsinit, tha se vendimi fillestar ishte i gabuar dhe se gazeta duhet të jepte më shumë detaje për të.

“Megjithëse Martha-Ann Alito ka të drejtën të shprehë qëndrimet e saj, në shtëpinë e një anëtari të Gjykatës së Lartë nuk duhet të shfaqet një flamur i vendosur kokëposhtë me atë simbolikë të caktuar”, tha zonja Culver.

“Kjo minon parimin e neutralitetit që duhet të respektojë Gjykata e Lartë,” thotë ajo.

Kur një gazetar i atëhershëm i gazetës Washingtin Post shkoi në shtëpinë e familjes Alito në janar 2021, pasi flamuri ishte hequr, Martha-Ann Alito vuri në dukje se një flamur i vendosur me kokëposhtë, ka nënkuptuar për një kohë të gjatë një gjendje të lartë alarmi.

A mbajnë përgjegjësi zyrtarët për veprimet e familjarëve të tyre?

Zoti Holland, i cili në të kaluarën ka mbuluar Gjykatën e Lartë për agjencinë Associated Press, tha se ai mund ta kuptojë argumentimin se veprimi i bashkëshortes së një zyrtari, nuk përbën lajm.

"Nuk duhet dënuar një person për veprimin e bashkëshortit të tij ose të saj," thotë ai. "Dhe nëse ky ishte veprimi i gruas së Sam Alitos, a duhet ta mbajmë atë përgjegjës për diçka që bëri gruaja e tij?"

Ai mendon se ndoshta një korrespondent që mbulonte Gjykatën mund të ketë arritur në përfundimin se nuk ia vlente të shkruante për një gjë të tillë dhe të rrezikonte reagimin e indinjuar të dikujt kaq me peshë.

Megjithatë, Martha-Ann Alito tani po tërheq vëmendjen për opinionet e saj në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, në të njëjtën mënyrë si gruaja e gjykatësit tjetër Clarence Thomas, Ginny Thomas.

Të dy atyre, në pozicionet e tyre do t’u duhet të marrin vendim për çështje që kanë të bëjnë me rrjedhën e ngjarjeve pas zgjedhjeve.

Gjykatësi Alito hodhi poshtë të mërkurën kërkesat e ligjvënësve demokratë për t’u tërhequr nga çështjet që lidhen me zgjedhjet e vitit 2020, përfshirë atë mbi kërkesën e ish-presidentit Donald Trump për imunitet nga ndjekja penale lidhur me akuzat penale federale për përpjekjet përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve.

Martha-Ann Alito duhet të jetë e vetëdijshme për faktin se ajo është e martuar me një anëtar të Gjykatës së Lartë dhe për këtë arsye vendosja e flamurit në atë formë përbën lajm, pavarësisht se ishte ajo që e bëri një gjë të tillë, thotë zonja Culver.

Vendimi i gazetës Washington Post, reflekton një pikëpamje të kahershme të disa organizatave mediatike se Gjykata e Lartë duhet të mbulohet në bazë të vendimeve që merr dhe jo si institucion politik, thotë ajo.

Vendimi i gazetës para tre vjetësh u mor përpara rrjedhjes së paprecedentë të projekt-vendimit të Gjykatës për të rrëzuar të drejtën e abortit, thotë ajo.

Ndërkohë media ProPublica fitoi një çmim Pulitzer për shërbim publik në fillim të këtij muaji lidhur me shkrimet për dhuratat e shtrenja dhe pagesat e udhëtimete për anëtarët e gjykatës nga disa miliarderë.

"Ka ardhur koha që gazetarët t’i vënë para përgjegjësisë anëtarët e Gjykatës së Lartë", thotë eskpertja e etikës në media, Culver.

XS
SM
MD
LG