Lidhje

Asambleja parlamentare e NATO-s thirrje për shtim të bashkëpunimit me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor


Ligjvënësit e asamblesë parlamentare të NATO-s u kërkuan aleatëve të NATO-s që të rrisin bashkëpunimin me partnerët demokratikë në Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Paqësorit për të kundërshtuar përpjekjet e fuqive autoritare për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për të sfiduar rendin ndërkombëtar.

Këto thirrje u bënë gjatë fillimit të punimeve tre ditore të Asamblesë Parlamentare të aleancës së NATO-s në Sofje të Bullgarisë.

“Moska e përdor ndikimin e saj jo vetëm për të formësuar politikën rajonale, por për të pasur ndikim më të gjerë edhe në Evropë”, thuhet në raportin për Ballkanin Perëndimor të hartuar nga Lord Mark Lancaster, në të cilin nënvizohet se një nga objektivat kryesore të Rusisë ishte "të parandalojë integrimin euroatlantik të rajonit".

Sipas një komunikate të publikuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, thuhet se Lord Mark Lancaster bëri thirrje “për një angazhim të ripërtërirë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe promovimin e dialogut midis entiteteve rivale, rritjen e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë kibernetike me partnerët rajonalë dhe përforcimin e pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë për të penguar çdo kërcënim për ripërtëritje të dhunës”.

Këtë vit Asambleja Parlamentare pritet të votojë edhe për ndryshimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Aktualisht parlamenti i Kosovës është anëtar vëzhgues i Asamblesë ndërsa synon të bëhet anëtarë i asociuar.

Autoritetet në Prishtinë shpresojnë që Asambleja Parlamentare e NATO-s të votojë në favor të ngritjes së statusit të Kosovës në këtë organizatë.

Ngritja e përfaqësimit të parlamentit të Kosovës në këtë organizatë po kundërshtohet ashpër nga Serbia. Kryetarja e parlamentit serb Ana Bërnabiç përmes një letre u ka kërkuar vendeve anëtare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të refuzojnë një gjë të tillë.

“Dhënia e statusit Parlamentit të Kosovës padyshim përfaqëson “shpërblim” për sjelljen e Prishtinës, e cila po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për të penguar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për të mos përmbushur detyrimet e saj nga marrëveshja e Brukselit dhe siç e dinë NATO-ja dhe KFOR-i , të cila janë të pranishme në territorin e Kosovës”, thuhet në letrën e zonjës Bërnabiç.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare konsultative për NATO-n dhe përfaqësohet nga ligjvënësit e të gjitha shteteve të Aleancës Veri-Atlantike. Asambleja përbëhet prej 274 delegatë nga 32 vendet anëtare të NATO-s

XS
SM
MD
LG