Departamenti amerikan i Shtetit tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” për stërvitjet ushtarake të Kinës në Ngushticën e Tajvanit dhe përreth ishullit Tajvan dhe i bëri thirrje Kinës të veprojë me vetëpërmbajtje.
“Përdorimi i një tranzicioni normal, rutinë dhe demokratik, si një justifikim për provokime ushtarake rrezikon të përshkallëzojë tensionet dhe dëmton normat e vendosura prej dekadash që kanë ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Deklarata u bë pasi Kina përfundoi dy ditë manovrash ushatarake përreth Tajvanit, gjatë së cilave u simuluan sulmet me avionë bombardues dhe u praktikua ndalimi dhe marrja e kontrollit të anijeve. Tajvani i dënoi stërvitjet të shtunën si një “provokim i hapur”.
Kina e konsideron territor të sajin Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike. Kina filloi manovrat “Joint Sword – 2024A” tre ditë pasi president i Tajvanit u bë Lai Ching-te, të cilin Pekini e quan “separatist”.
Pekini tha se stërvitjet ishin “një ndëshkim” për fjalimin e mbajtur nga zoti Lai me rastin e inaugurimit në detyrë, kur ai u shpreh se dy palët në Ngushticën e Tajvanit “nuk ishin vartëse të njëra-tjetrës”. Kina e konsideroi këtë si një deklaratë se “janë dy vende të veçanta”.