Lidhje

GJND urdhëron Izraelin të ndalë menjëherë ofensivën në Rafah


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që “të ndalojë menjëherë” ofensivën ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.

Vendimi intensifikon presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit në lidhje me sulmin e tij ndaj Gazës, por Izraeli ka thënë se nuk do ta respektojë.

Duke lexuar vendimin, presidenti i GJND-së Nawaf Salam përmendi kushte "jashtëzakonisht të rënda" për popullatën "jashtëzakonisht të cënueshme" në Rafah.

Ai shprehu gjithashtu dyshimet e gjykatës se evakuimi i civilëve nga Izraeli nga qyteti kufitar është adekuat për të "zbutur rrezikun e madh" me të cilin po përballen civilët atje.

Në një deklaratë të përbashkët, zyra e kryeministrit izraelit dhe ministria e jashtme kritikuan vendimin e gjykatës që i quajti akuzat e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me gjenocidin "të rreme, të egra dhe të neveritshme".

Ministri Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit, iu përgjigj vendimit të GJND-së duke i thënë mediave izraelite se ushtria do të vazhdojë të luftojë për të rikthyer pengjet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj.

Kabineti i luftës i Izraelit (Kryeministri Benjamin Netanyahu, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Benny Gantz)
Kabineti i luftës i Izraelit (Kryeministri Benjamin Netanyahu, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Benny Gantz)

“Do të vazhdojmë të veprojmë sipas ligjit ndërkombëtar në Rafah dhe kudo që operojmë dhe të bëjmë përpjekje për të shmangur dëmtimin e popullatës civile, jo për shkak të Gjykatës së Hagës – por para së gjithash për shkak të asaj që ne jemi”, tha ai.

Gjykata po ashtu urdhëroi Izraelin që të hapë menjëherë pikën kufitare mes Egjiptit dhe Gazës për të bërë të mundur kalimin e ndihmave humanitare.

Vendimi i sotëm i Gjykatës me seli në Hagë, erdhi pas kërkesës së Afrikës së Jugut që kërkoi ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që njihet edhe si Gjykata Botërore, është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, për të trajtuar mosmarrëveshjet midis shteteve. Vendimet e saj janë përfundimatare, por në të shkuarën nuk janë zbatuar. Gjykata nuk ka fuqi detyruese.

Ka pak të ngjarë që Izraeli të zbatojë vendimin e sotëm, por ai rrit trysninë mbi vendin gjithnjë e më të izoluar. Kritikat ndaj Izraelit mbi mënyrën se si po zhvillon luftën në Gazë janë rritur, veçanërisht lidhur me operacionet në Rafah. Kritikat kanë ardhur madje edhe nga aleati i saj më i ngushtë, Shtetet e Bashkuara.

Richard Gowan, i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i tha Zërit të Amerikës se vendimi i GJND-së mund t'i mundësojë Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë më shumë trysni ndaj Izraelit dhe se Izraeli "mund të përpiqet të fitojë pak vullnet të mirë duke lejuar më shumë ndihma në Gaza".

Kamionët me ndihma drejt Gazës
Kamionët me ndihma drejt Gazës

Por, ai tha se "unë mendoj se izraelitët e kanë bërë shumë të qartë gjatë gjithë vitit, se ata do të injorojnë çdo thirrje për përmbajtje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë", shtoi ai.

Departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare të Afrikës së Jugut përshëndeti vendimin të premten.

"Afrika e Jugut mirëpret vendimin e marrë nga gjykata sot", tha Zane Dangor, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit të vendit. "Kjo është de facto thirrje për një armëpushim. Ajo po urdhëron palën kryesore në këtë konflikt të përfundojë veprimtarinë e saj luftarake kundër popullit të Palestinës”.

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi gjithashtu përshëndeti vendimin e GJND-së.

"Edhe një herë, GJND ekspozon krimet e luftës të Izraelit në Gazë. Dhe përsëri, qeveria izraelite reagon me përbuzje ndaj ligjit ndërkombëtar, duke refuzuar të dëgjojë urdhrat e gjykatës", tha ai.

Ndaj vendimit ka reaguar edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. "Cila do të jetë përgjigja [e BE-së] ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që është nxjerrë sot, cili do të jetë qëndrimi ynë? Ne do të duhet të zgjedhim midis mbështetjes sonë për institucionet ndërkombëtare të shtetit të së drejtës ose mbështetjes tonë për Izraelin”.

Vetëm këtë javë, tre vende evropiane njoftuan se do të njihnin një shtet palestinez - Irlanda, Spanja dhe Norvegjia.

Izraeli e ka përshkruar më parë padinë në GJND-së ndaj sulmit të saj në Gazë si "të shkëputur nga faktet". Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për gjenocid si të pabaza, duke deklaruar se ofensiva në Gazë është vetëmbrojtje dhe ka objektiv militantët e Hamasit, të cilët sulmuan Izraelin më 7 tetor.

Për këtë artikull u morën materiale nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe AP.

XS
SM
MD
LG