Çdo vit, në pranverë dhe në vjeshtë, barinjtë organizojnë shtegëtimin e bagëtive, një rit që në Shqipëri transmetohet prej shekujsh. Fundvitin e shkuar kjo traditë shqiptare iu bashkua disa vendeve të Mesdheut duke e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Jomateriale Botërore të UNESCO-s. Barinjtë shqiptarë tek përballen me sfidat e shpopullimit të mjaft zonave ruale synojnë të nxisin përmes kësaj tardite tërheqjen e turizmit. Tufat e deleve dhe dhive këmbejnë njëra-tjetrën nën ritmet e këmborëve dhe valëzimin e barit në fushën e Çajupit në Gjirokastër.
Kjo fushë, nën një dekor malesh madhështorë rrethuar, është një mrekulli e natyrës , mbi 1500 metër mbi niveli e detit, me rreth 2500 metër katrorë sipërfaqe dhe vetëm 25 kilometër larg qytetit historik të Gjirokastrës.
Barinjtë shtegëtojnë me bagëtitë e imta në pranverë drejt vendeve malore të freskëta dhe në dimër duke zbritur në fusha.
Kjo traditë të lashtë shqiptare, së fundi iu bashkua disa vendeve të mesdheut, por jo vetëm, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimve jomateriale botërore që mbrohet nga UNESCO.
Veshur me një shark të trashëguar nga babai Pëllumb Koko thotë se po e mbart këtë traditë në tre breza.
“Është një traditë që është e hershme. Në familjen tonë una jam brezi i tretë që e trashëgoj shtegëtimin pasi gjyshi merrej me blegtori dhe po kështu edhe babai, që sot është 92 vjeç. Dhe tradita do të vazhdojë si na e kanë lënë të parët”, thotë ai.
Pëllumbi ka njëmijë krerë bagëti dhe thotë se shtegëton në pranverë këtu në fushën e Çajupit dhe në dimër në dhjetor zbret nga malet ku nis dëbora drejt fushave të Luginës së Drinos.
“Ka dy shtegëtime, shtegëtimi veror dhe shtegëtimi dmiëror. Shtegëtimin veror unë e kam bërë në prill, pasi edhe kullota, aty ku jam, dimërore, nuk është e favorshme për prodhimin, ndërsa në dimër ikim në varësi të kohës. Ka momente që ikim në 10 dhjetor apo më 25 nëntor, pasi mund të na zërë bora në male.Shtegëtimet për shumë tufa bagëtish zgjasin me ditë të tëra në shtigjet tradicional baritore”, thotë ai.
Ky rit nuk është një lëvizje e thjeshtë e bagëtive, por ka ngarkesë shpirtërore dhe mjaft simbolika thotë Pëllumbi.
“Shtegëtimi mbart një pjesë shumë shpirtërore.Gjithçka është e ndjeshme, edhe tradita, edhe shtegëtimi edhe simboli i këmborëve dhe zileve, i përgatitjes së karvanëve, i zbukurimit të prijësve të kopesë deri tek përgatitja e stanit të ri.”
Blegtoria, sidomos e bagëtive të imta po shënon vitet e fundit një rënie të theksuar në Shqipëri prej shpopullimit të zonave rule por edhe mospërfshirjes së të rinjve në këtë sektor.
Vetëm barinjtë mbi 50 vjeçarë vijojnë ta mbajnë këtë traditë, thotë Pëllumbi.
“Mosha mbi 50 vjeç që janë aktualisht me dele pasi e kanë traditë, e kanë zanat por në pamundësi për ta shtuar tufën dhe përmiërsuar gjërat. Por të rinjtë nuk e kanë për dëshirë të përfshihen me stanet dhe bagëtitë dhe po largohen nga zonat rurale”, thotë ai.
Kohët e fundit në disa zona barinjtë por edhe agjenci tursitike dhe njësi vendore synojnë të tërheqin vëmendjen e turistëve, pikërisht me këto tradita duke zhvilluar turizmin e staneve. Pëllumbi thotë se mikëpritja shqiptare është një magnet i çmuar.