Kompania Leapmotor, me seli në Hangzhou të Kinës, ka bashkuar forcat me kompaninë evropiane të prodhimit të makinave Stellantis, për të sjellë në Evropë makina elektrike.
Sipas marrëveshjes së arritur, në shtator fillon shitja e makinave në nëntë vende: Belgjikë, Francë, Itali, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Spanjë dhe Portugali.
Njoftimi u bë gjatë një aktiviteti për mediat në Hangzhou. Dy kompanitë njoftuan krijimin e kompanisë së përbashkët Leapmotor International për prodhimin dhe shitjen e makinave elektrike jashtë Kinës. Kompania e re është 51% në pronësi të kompanisë Stellantis dhe 49% në pronësi të kompanisë kineze Leapmotor.
Në tetor të vitit të kaluar, kompania Stellantis investoi 1.61 miliardë dollarë për të blerë 21% të aksioneve të kompanisë Leapmotor dhe njoftoi partneritetin e ri strategjik.
“Do të mund të sjellim më shpejt në tregjet tona automjete elektrike me çmime të përballueshme, që jo vetëm do të kontribuojnë për rritjen e fitimeve të kompanisë Leapmotor, rritjen e fitimeve të kompanisë Stellantis, por edhe do të kontribuojë për një mënyrë më efikase për të frenuar ngrohjen globale”, tha Carlos Tavares, drejtor i kompanisë “Stellantis”.
Drejtori i kompanisë Leapmotor, Zhu Jiangming, tha se aleanca e re do ta ndihmojë kompaninë e tij duke i dhënë qasje tek një rrjet i gjerë ndërkombëtar për shitjen dhe shpërndarjen, si dhe tek fabrikat në mbarë botën.
“Pasiguritë politike dhe rajonale në të ardhmen do ta bëjnë të pashmangshme shitjen në mbarë globin të automjeteve të reja elektrike kineze. Prandaj mendoj se nëse mbështetemi në avantazhin e kapitalit të kompanisë Stellantis dhe bashkimin e teknologjive dhe produkteve tona, do të arrijmë së bashku diçka më të madhe”, tha zoti Zhu.
Këto komente u bënë ndërsa administrata e presidentit Biden njoftoi planet për të vendosur tarifa të reja ndaj makinave elektrike kineze, baterive të avancuara, teknologjisë për energjinë diellore, çelikun, aluminin dhe pajisjet mjekësore. Masat e reja pritet ta rrisin tensionin mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe Evropa e kanë akuzuar Kinën për mbiprodhim të makinave elektrike dhe për dërgimin e tyre në tregjet ndërkombëtare.
“Industria e automjeteve kineze, në veçanti industria e makinave të reja elektrike, është e zhvilluar mirë. Shumë kompani makinash duan që të mbizotërojnë jo vetëm në tregun kinez, por duan edhe të konkurrojnë në tregun botëror, në veçanti në tregun evropian, me kosto më të ulëta falë zinxhirit të ri industrial të Kinës”, thotë analisti Zhou Lijun, nga Instituti Kërkimor “Yiche”, që është i specializuar për industrinë kineze të automjeteve.
Kompania evropiane Stellantis dhe ajo kineze Leapmotor nuk dhanë detaje se ku do të prodhohen makinat elektrike, por thanë se vendi i prodhimit duhet të ketë “kapacitetin për të mbështetur shitjet” dhe të plotësojë kriteret e cilësisë dhe konkurencës nëpërmjet kostos.
Analisti Zhou thotë se në të kaluarën kompanitë e huaja hynë në Kinë për të vendosur bashkëpunimin me kompanitë kineze, duke siguruar kështu praninë në tregun më të madh në botë të makinave, si dhe duke krijuar fitime dhe vende të reja pune.
“Në 20 apo 30 vitet e ardhshme ka shumë mundësi që kompanitë kineze, si Geely, BYD, apo Chery, të shkojnë në Evropë për të hyrë në bashkëpunim me kompani si Stellantis, Volkswagen, Mercedes-Benz dhe BMW në Gjermani dhe të eksportojnë teknologjinë e re. Do të punojnë së bashku për të krijuar vende pune, duke paguar me shumë taksa dhe duke ndihmuar për transformimin dhe modernizimin e zinxhirit industrial të industrisë së makinave në Evropë dhe vende të tjera”, thotë zoti Zhou.
Dy modelet e para të makinave elektrike, që do të futen në tregun ndërkombëtar, do të pasohen nga një model i ri që do të shtohet çdo vit. Sipas drejtori të kompanisë Stellantis, pritet një rritje domethënëse e shitjeve ndërkombëtare dhe në fund të vitit makinat do të fillojnë të shiten edhe në vendet e Amerikës Jugore, Lindjes së Mesme dhe Afrikë, si dhe në Indi dhe në rajonin e Azisë-Paqësorit.