Lidhje

Presidenti Zelenksyy shtyn vizitat jashtë vendit ndërsa Rusia vazhdon ofensivën


Pasojat e një sulmi ajror të Rusisë në rajonin e Kharkivit në Ukrainë
Pasojat e një sulmi ajror të Rusisë në rajonin e Kharkivit në Ukrainë

Forcat ukrainase u tërhoqën nga disa zona në pjesën verilindore të vendit dhe luftuan përballë trupave ruse në terrene të tjera, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelenskyy shtyu të gjitha vizitat jashtë vendit, një tregues i rrezikut serioz me të cilin po përballen ushtarët.

Në këtë sfond të zymtë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u përpoq të siguronte aleatët ukrainas për mbështetjen e vazhdueshme amerikane, duke njoftuar një dërgesë armësh prej 2 miliardë dollarësh. Ndihma është pjesë e paketës që u miratua muajin e kaluar nga Shtetet e Bashkuara.

Kryediplomati amerikan gjendet në Ukrainë në një kohë kur trupat ruse po kryejnë një ofensivë të re në rajonin verilindor të Kharkivit.

Ofensiva nisi javën e shkuar, duke shënuar një sulm të shpejtë dhe të papritur kufitar, më të rëndësishmin që kur Moska nisi ofensivën në shkallë të gjerë në vitin 2022 si dhe duke detyruar mijëra vetë që të largohen nga shtëpitë e tyre. Gjatë javëve të fundit, trupat ruse kanë shënuar përparim në rajonin e Donetskut.

Këto zhvillime nënkuptojne se lufta ka hyrë në një fazë kritike për ushtrinë e Ukrainës e cila përballet me mungesa të mëdha.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi të martën vonë se trupat u tërhoqën nga qytetet Lukyantsi dhe Vovchansk "për të shpëtuar jetën e ushtarëve dhe për të shmangur humbjet", siç thuhej në njoftim.

Qyteti i Vovchanskut, 5 kilometra larg kufirit rus dhe 50 kilometra larg qytetit të Kharkivit ka qenë objektiv i luftimeve të fundit dhe trupat ruse dhe ukrainase luftuan në rrugët e qytetit të mërkurën.

Oleksii Kharkivskyi, drejtor i patrullave policore në Vovchansk tha se trupat ruse po zinin pozicione në qytet, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se trupat e saj po përpiqeshin t’i largonin ata.

Gjatë fjalimit të tij të martën në mbrëmje, Presidenti Zelenskyy tha se ushtria kishte dërguar përforcime në rajonet Kharkiv dhe Donetsk. “Është ende herët për të arritur në përfundime, por situata është nën kontroll”, tha ai.

Zyra e presidentit njoftoi të mërkurën se ai kishte anuluar të gjitha vizitiat e planfikuara jashtë vendit dhe se po përpiqej që të përcakonte periudha kohore të tjera se kur mund të zhvilloheshin ato.

Zyra presidenciale nuk dha arsye mbi shtyrjen e vizitave, por veshtirësitë në fushën e betejës duket se çuan në këtë vendimmarrje. Këtë javë presidenti ukrainas pritej të vizitonte Spanjën dhe ndoshta edhe Portugalinë.

XS
SM
MD
LG