Lidhje

Nën sekuestro mbi 3 mln euro prona të ish oficerit të policisë Bistri


Ish drejtuesi i Forcave operacionale Oltion Bistri
Ish drejtuesi i Forcave operacionale Oltion Bistri

Shkon në mbi 4 milionë euro, vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara, të cilat rezultojnë në emër të ish drejtorit të Forcës operacionale Oltion Bistri, i arrestuar në muajin korrik të vitit të kaluar, dhe familjarëve të tij. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi të martën se Gjykata e Posaçme kishte pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të pasurive të tjera të paluajtshme, pasi më herët gjatë muajit janar, kishte marrë të njejtën masë, për tre apartamente në Tiranë, me një sipërfaqe totale mbi 900 metra katrorë, me nje vlerë të përllogaritur në mbi 450 mijë euro, si dhe dy dyqane, po në kryeqytet, me një sipërfaqe totale prej 220 metrash katrorë, vlera e të cilave shkon në mbi 530 mijë euro.

Pauritë e sekuestruar me vendimin e fundit të Gjykatës së Posaçme përfshijnë 22 dyqane dhe mjedise biznesi si dhe 10 apartamente, 1 vile, 1 garazh, dhe një sipërfaqe trualli, në zona të ndryshme të Tiranës. Sipas akteve noteriale që shoqërojnë transaksionet për blerjet e tyre, vlera përllogaritet në 3.1 milionë euro, por që me çmimet aktuale mund të jetë shumë më e lartë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme “ndaj shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij”.

Ish zyrtari i policisë, u arrestua në kuadër të hetimeve ndaj disa grupeve kriminale në vend, pasi emri i tij u zbulua falë deshifrimit nga ana e autoriteteve të drejtësisë belge dhe hollandeze, të komunikimeve të realizuara përmes shërbimit të koduar Sky EncroChat, të cilat iu dorëzuan Prokurorisë së Posaçme.

Bitri ka patur një eksperiencë të gjatë në polici, ku ka mbajtur disa poste me rëndësi. Forcat operacionale të cilat ai drejtoi deri pak ditë përpara arrestimit janë ndër strukturat më të rëndësishme të cilat kryejnë mes të tjerash dhe përgjime ambientale për llogari të prokurorisë. Bistri dyshohet se u ka ofruar elementëve kriminalë, informacione të cilat ai i siguronte për shkak të detyrës.

Hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe Prokuroria e dërgoi çështjen për gjykim javën e shkuar duke ngritur ndaj ish oficerit të lartë tre akuza, nga “Korrupsioni”, “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete” te “Pastrimi i parave”.

Gjatë operacionit që çoi në arrestimin e tij, në pranga përfundoi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish punonjës policie, emra të njohur të botës së krimit si dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje. Në tetor të vitit të kaluar Gjokës iu sekuestruan tre sipërfaqe të ndara të llojit pyll, me një total prej 390 mijë metrash katrorë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, dy nga sipërfaqet ishin rregjistruar në emër të shoqërive të ndryshme tregtare dhe një tjetër në emër të një personi privat, por që nga hetimet “ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga Pëllumb Gjoka, në bashkëpunim me persona të tjerë”.

Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste. I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk rezulton të ketë nisur.

XS
SM
MD
LG