Lidhje

Mbyllet për 2 ditë Universiteti i Amsterdamit pas protestave të dhunshme për Gazën


Universiteti i Amsterdamit njoftoi të hënën se do të qëndrojë mbyllur për dy ditë pasi policia ndërhyri për t’i dhënë fund një proteste pro-palestineze në një nga kampuset e tij, më herët gjatë ditës.

Bordi i universitetit tha se kishte anuluar mësimin të martën dhe të mërkurën dhe se të gjitha ndërtesat do të mbylleshin pasi nuk mund të garantojnë siguri në kampuse.

Universiteti ka qenë bazë e përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave policore tre herë gjatë javës së kaluar, pasi aktivistët që kërkojnë që universiteti të ndërpresë të gjitha lidhjet me institucionet izraelite, bllokuan kampuset.

Protesta e së hënës nisi si një tubim nga stafi akademik dhe studentët në përgjigje të dhunës pas bllokimit të një prej ndërtesave të universitetit të mërkurën.

Bordi i universitetit tha se protesta kishte qenë e qetë derisa persona të maskuar nga jashtë iu bashkuan grupit dhe bllokuan hyrjet e godinës, si dhe daljet e emergjencës dhe dëmtuan rëndë ndërtesën dhe librarinë e saj.

Përmes një postimi në rrjetin social X, policia e Amsterdamit tha se universiteti kishte bërë një denoncim ndaj protestuesve për akte vandalizmi.

Studentë në gjithë Holandën po protestojnë që prej së hënës së shkuar kundër luftës së Izraelit në Gazë.

Protesta të ngjashme të studentëve janë bërë edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, ku bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm të përhershëm dhe që universitetet të ndërpresin lidhjet financiare me kompani që sipas tyre po përfitojnë nga shtypja e palestinezëve.

XS
SM
MD
LG