Lidhje

Putini bën ndryshime në qeveri ndërsa Kremlini intensifikon sulmet në Ukrainë


Presidenti rus Vladimir Putin dhe ish ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu
Presidenti rus Vladimir Putin dhe ish ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu

Rusia ka filluar një ofensivë të re tokësore në rajonet verilindore të Ukraunës. Analistët thonë se Kremlini synon të shfrytëzojë dobësitë e Ukrainës përpara arritjes së ndihmave ushtarake nga perëndimi, në javët dhe muajt e ardhshëm. Ndërkaq, Presidenti rus bëri ndryshime në kabinetin e tij të dielën, duke larguar Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Nikolai Patrushev. Ndryshimet u njoftuan pasi Presidenti Putin filloi mandatin e tij të pestë në detyrë.

Putini bën ndryshime në qeveri, intensifikon sulmet në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret të dielën për emërimin e zotit Shoigu si Sekretar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke e larguar nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Ky vendim nënkupton që aleati i ngushtë i Presidentit Putin, Nikolai Patrushev largohet nga posti i Sekretar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në vend të zotit Shoigu, Presidenti rus propozoi Andrei Belousovin si Ministër të Mbrojtjes.

Këshilli rus i Sigurimit mbajti një takim të hënën për të diskutuar propozimin e Presidentit Putin për të emëruar zëvendëskryeministrin Andrei Belousov në postin e ministrit të mbrojtjes.

"Nuk shoh një kandidat më të mirë që mund ta organizonte dërgimin e armëve moderne ushtrisë dhe të arrinte rezultate. Në të gjitha pozicionet e mëparshme, Andrei Removiç (Belousov) gjithmonë ka arritur rezultate", tha gjatë takimit kryetarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Valentina Matvienko.

Ish-oficeri i inteligjencës britanike Christopher Steele thotë se ndonëse ndryshimet në qeveri ishin të pritshme pasi Presidenti Putin filloi mandatin e ri, megjithatë ato janë befasuese.

“Nëse shikoni se kush u largua, fjala është për dy nga katër njerëzit kryesorë në qeveri që drejtojnë luftën, në një kohë kur ka një kundër- ofensivë ruse në Ukrainë. Ky është një vendim befasues, por do të shohim në ditët në vijim se çfarë ndikimi do të ketë”, thotë zoti Steele.

Pavarësisht lidhjeve të afërta me Presidentin Putin, pozita e Sergei Shoigut u dobësua pas arrestimit të zëvendësit të tij Timur Ivanov, muajin e kaluar, me akuza për korrupsion.

Ish ministri Shoigu është parë si një figurë kyçe në vendimin për dërgimin e trupave ruse në Ukrainë. Rusia priste që ofensiva të përfundonte me një fitore të shpejtë.

Por Ukraina i dha ushtrisë ruse një goditje poshtëruese dhe i detyroi forcat ruse të tërhiqen nga përpjekjet për të marrë nën kontroll Kievin. Një kundërofensivë ukrainase më pas dëboi forcat e Moskës edhe nga rajoni i Kharkivit.

Tani në këtë zonë, trupat ruse kanë filluar njëë ofensivë të re.

Sipas analistëve Kremlini synon të shfrytëzojë dobësitë e Ukrainës përpara mbërritjes së ndihmave ushtarake për Kievin nga perëndimi në javët dhe muajt e ardhshëm.

Rusia ka filluar zbatimin e qasjes që ka për qëllim rraskapitjen e forcave ukrainase duke dërguar valë pas vale ushtarësh në sulm.

“Na gjeti një dron… Një dron i dytë fluturoi menjëherë, pa pozicionet tona dhe menjëherë filluan sulmin me mortaja disa metra larg… Më pas m’u errësuan sytë dhe kjo ishte e gjitha”, thotë një ushtar ukrainas që dha vetëm emrin e tij të luftës, Artem

Deri më tani, Rusia mbizotëron kundrejt forcave ukrainase me numër ushtarësh, forca të blinduara dhe municione. Britania megjithatë vlerëson se të paktën 450 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur deri tani. Kjo shifër është shumë më e lartë se çdo numër që është dhënë publikisht nga Kremlini.

Kreu i administratës ushtarake të Kharkivit thotë se afërsia me qytetin rus Belgorod, rreth 50 kilometra larg, paraqet një rrezik të vazhdueshëm për banorët vendas.

Megjithatë, as banorët e Belgorodit nuk janë më të sigurt.

Moska thotë se fragmentet e një rakete ukrainase, që u rrëzua nga forcat ruse, ra në një ndërtesë apartamentesh të këtij qyteti.

Guvernatori i rajonit rus të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov tha se 15 trupa të pajetë u nxorën nga rrënojat.

Televizioni rus RTR njoftoi të hënën se rreziku nga shembja e pjesës së mbetur të ndërtesës ishte ende i lartë.

XS
SM
MD
LG