Lidhje

Gjashtë muaj nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë


Biden- Trump
Biden- Trump

Ndërsa kanë mbetur gjashtë muaj nga zgjedhjet presidenciale amerikane, presidenti demokrat Joe Biden dhe kandidati republikan Donald Trump, po zhvillojnë fushata për të fituar mbështetjen e publikut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearsn, i hedh një vështrim planeve të fushatave të dy kandidatëve ndërsa afrohen zgjedhjet e nëntorit për Shtëpinë e Bardhë.

Gjashtë muaj nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump kanë gjashtë muaj për të fituar mbështetjen e votuesve amerikanë për një mandat të dytë.

Por zoti Trump do të shpenzojë një pjesë të kësaj kohe në gjykata shtetërore apo federale ndërsa përballet me katër aktpadi, mes tyre për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve sekrete dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit. Ai thotë se prokurorët po ndërhyjnë në zgjedhje.

“Veprimet e mia kanë qenë të ligjshme. Kjo po bëhet për arsye politike. Ata duan që Biden-i të zgjidhet. Kjo është arsyeja e vetme”, thotë zoti Trump.

Seancat gjyqësore po kufizojnë kohën e zotit Trump për të bërë fushatë, por ai thotë se, ajo që ai e quan “përndjekje politike” po e bën edhe më popullor tek votuesit.

“Është e tmerrshme çfarë po ndodh në vendin tonë. Shpresoj që 5 nëntori, dita më e rëndësishme në historinë e vendit tonë për mendimin tim, që quhet dita e zgjedhjeve, shpresoj të sjellë ndryshime, sepse këta njerëz po e shkatërrojnë vendin tonë”, tha zoti Trump.

Për herë të fundit zoti Trump mori emërimin e Partisë Republikane për president në kuvendin e vitit 2020 në Karolinën e Veriut. Këtë vit kuvendi republikan zhvillohet në Uiskonsin. Zoti Trump ende nuk e ka zgjedhur kandidatin për postin e nënpresidentit.

Mes atyre që besohet të jenë në listë për këtë post janë Senatori Marco Rubio i Floridës, Senatori J.D. Vance i Ohajos, Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut dhe ligjvënësja e Elise Stefanik e Nju Jorkut.

Si president, zoti Biden ka avantazhin e takimeve në Shtëpinë e Bardhë për të tërhequr vëmendjen e votuesve. Zoti Biden po shton sulmet ndaj kundërshtarit Trump nëpër tubime, ndërsa pretendon për një ekonomi të fortë.

“Ndërtimi i fabrikave të reja është dyfishuar gjatë administratën tonë. Ndërkohë, Donald Trump-i ende mendon se mullinjtë e erës shkaktojnë kancer. Kështu ka thënë. A ju kujtohet gjatë kohës së kovidit kur tha ‘injektoni klor’ në venat tuaja. I shkau dora dhe klori i shkoi tek flokët e tij”, tha zoti Biden.

Partia Demokrate e emëroi për herë të fundit zotin Biden për president në kuvendin e vitit 2020 në Uiskonsin. Këtë vit, kuvendi demokrat do të mbahet në muajin gusht në Illinoi. Zoti Biden po kandidon sërish me nënpresidenten Kamala Harris.

Ajo ka zhvilluar fushatë për të kthyer në fuqi një ligj federal që mbron abortin, të hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë në vitin 2022.

“Donald Trump-i ishte presidenti që hoqi mbrojtjen federale për abortin. Joe Biden-i do të jetë presidenti që do ta kthejë mbrojtjen për abortin”, tha zonja Harris.

Pritet që kandidatët Biden dhe Trump të debatojnë përpara votimeve të nëntorit. Ata thonë se janë të gatshëm për debat por nuk është caktuar asnjë datë.

XS
SM
MD
LG