Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Greqi, SYRIZA, Stefanos Kasselakis vizitoi të enjten disa zona të Dropullit në Gjirokastër, të banuara nga pakica greke, ndërsa një takim i paralajmëruar i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë, të dielën në Athinë, ka ngjallur polemika në qarqet politike greke.
Zoti Kasselaksi zhvilloi takime në bashkinë e Dropullit dhe më pas me sipërmarrës dhe qytetarë të zonave minoritare, ku foli për mbështetjen financiare dhe për mbrojtjen politike për pakicën greke në Shqipëri. “Jemi këtu në Dropull pranë minoritetit etnik grek për të shprehur mbështetjen tonë pa kushte. Për ne është një çështje thellësisht kombëtare dhe unë jam një djalë i minoritetit dhe e di shumë mirë çdo të thotë të jesh grek jashtë Greqisë, për më tepër që këtu flasim për një komunitetet minoritar që ka nevoja të shumta për mbështetje nga politika”, tha zoti Kasselakis për mediat në përfundim të takimeve.
Ai shpjegoi se “me përfaqësuesit vendor ishin diskutuar shumë çështje për mbështetjen financiare për minoritetin, që të mos jetë në nivel familjeje, por si e drejtë për çdo qytetar. Çështjet janë të shumta por në asnjë rrethanë nuk duhet të politizohen apo të përvetësohen nga parti të caktuara”, u shpreh zoti Kasselakis.
Ndërsa takimet e politikanit të lartë grek në Shqipëri u zhvilluan normalisht, vizita e pritshme e kryeministrit Rama në Athinë, është bërë objekt debatesh të shumta në Greqi. Në sfondin e çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i dënuar nga Gjykata shqiptare për Krimin e organizuar dhe Korrupsionin me dy vjet burg nën akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe atmosferës zgjedhore për në parlamentin europian, muajin e ardhshëm, vizita e zotit Rama është parë si një lëvizje provokuese. I arrestuar dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, rasti Beleri, provokoi një përkeqësim të menjëhershëm të marrëdhënieve zyrtare të Athinës me Tiranën.
SYRIZA dhe parti të tjera opozitare greke kanë kritikuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, lidhur me takimin e zotit Rama. Opozita e fajësoi kryeministrin grek për politikën e jashtme të qeverisë, të cilën e konsideron përgjegjëse për “provokimet shqiptare”.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë në mediat greke, tha një ditë më parë se vizita e Ramës nuk ishte një vizitë me karakteristika dypalëshe, porse “ai vjen për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që për momentin, në kushtet e zgjedhjeve evropiane, më duket mjaft i panevojshëm” , deklaroi zoti Mitsotakis, partia e të cilit ka përfshirë zotin Beleri në listat e kandidatëve të saj për në parlamentin europian.
Kryeministri grek ka bërë të ditur se autoritetet greke as nuk do e ndalojnë takimin e kryeministrit Rama por as do ta lehtësojnë atë. “Ne jemi demokraci, nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit, e cila është e garantuar me Kushtetutë, për këtë arsye qeveria nuk do të ndalojë mbledhjen e organizuar në Athinë. Sigurisht nuk është diçka për të cilën, ne kemi ndonjë arsye të veçantë për ta lehtësuar”, tha kreu i qeverisë greke.
Lidhur me reagimet në Greqi, kryeministri Rama u shpreh të mërkurën se “vizita në Athinë nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet për Parlamentin europian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare”, shkruajti zoti Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuar prej kohësh në disa vende evropiane, përfshirë Athinën, për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë për ta dhe Vision Albania 2030. Kjo ka të bëjë me vizitën time në fqinjin mik Greqinë”, nënvizoi zoti Rama.
Sipas raportimeve në mediat kryesore greke takimi i kryeministrit shqiptar në Greqi po gjen pengesa për t’u zhvilluar për shkak të mungesës së sallës pasi ende autoritete vendore në Athinë nuk kanë dhënë lejen për një mjedis të hapur apo të mbyllur. Ndërkohë, as zyra e Kryeministrit Rama dhe as përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Greqi nuk e kanë njoftuar ende vendin ku do të mbahet në Athinë takimi me shqiptarët më 12 maj.