Lidhje

Katari bën thirrje për "veprim urgjent ndërkombëtar" për të parandaluar sulmin izraelit në Rafah


Vazhdojnë thirrjet për trysni ndërkombëtare kundër një ofensive izraelite në qytetin në skajin jugor të Gazës, Rafah, në kufi me Egjiptin. Katari dhe Bashkimi Afrikan shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e krizës humanitare.

Katari ka qenë ndër ndërmjetësit kryesorë në përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit dhe të mërkurën tha se çdo zhvendosje me forcë e civilëve nga qyteti Rafah do të ishte një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar.

Një deklaratë e lëshuar nga ministria e jashtme e Katarit dënoi sulmet izraelite në Rafah dhe bëri thirrje për "veprim urgjent ndërkombëtar" për të parandaluar forcat izraelite të dërgojnë forcat tokësore në këtë qytet.

Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të punojë së bashku për të ndaluar një përshkallëzim të konfliktit në Rafah, duke vënë në dukje rëndësinë e zonës si një korridor për sjelljen e ndihmave humanitare në Gazë.

Izraeli dërgoi trupat në vendkalimin kufitar me Egjiptin në Rafah të martën, ndërsa mbylli gjithashtu vendkalimin aty pranë, Kerem Shalom. Kjo nxiti kritika nga organizatat humanitare. Izraeli tha të mërkurën se kishte rihapur vendkalimin kufitar, Kerem Shalom.

Zyrtari kryesor i OKB-së për ndihma humanitare, Martin Griffiths tha se mbyllja e kalimit në Rafah ndërpreu kalimin e karburanteve dhe pamundësoi kalimin në Gazë të aktivistëve të organizatave humanitare.

Udhëheqësit izraelitë thonë se një operacion ushtarak në Rafah është i nevojshëm për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gazë dhe për të mposhtur përfundimisht grupin militant Hamas.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha të martën se një sulm në Rafah do të ishte një "gabim strategjik, një fatkeqësi politike dhe një makth humanitar".

"Do të ishte tragjike nëse javë të tëra aktiviteti intensiv diplomatik për paqen në Gazë nuk do të mundësonin arritjen e armëpushimit, lirimin e pengjeve dhe frenimin e një ofensivë shkatërruese në Rafah", u tha ai gazetarëve në Kombet e Bashkuara.

Ai i kërkoi qeverisë izraelite dhe Hamasit të tregojnë "guxim politik" për të siguruar një marrëveshje dhe për të ndaluar gjakderdhjen. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve me ndikim mbi palët që ta përdorin këtë ndikim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth 1.2 milionë njerëz janë strehuar në Rafah, dhe më shumë se gjysma e tyre janë fëmijë. Shumë prej tyre erdhën nga pjesë të tjera të Gazës, duke ikur në kërkim të sigurisë dhe strehimit pasi ofensiva e Izraelit kundër Hamasit shkaktoi dëme të mëdha në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës.

Lufta Izrael-Hamas u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit të Hamasit në pjesën jugore të Izraelit që vrau 1200 njerëz: Hamasi gjithashtu morri rreth 250 pengje, sipas zyrtarëve izraelitë. Rreth 100 nga pengjet u liruan në një armëpushim njëjavor në fund të nëntorit.

Kundërofensiva e Izraelit në Gazë ka shkaktuar vrasjen e më shumë se 34,700 palestinezëve, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës që kontrollohet nga Hamasi.

*Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer ka kontribuar në këtë raport. Disa informacione janë marrë nga agjencitë e lajmeve 'The Associated Press', 'Agence France-Presse' and 'Reuters'.

XS
SM
MD
LG