Lidhje

SHBA dhe Delegacioni i BE-së, reagojnë pas nismës së propozuar nga Rama


Ambasada amerikane
Ambasada amerikane

Në Shqipëri, ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian reaguan sot ndaj propozimit të paraqitur një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama për një cikël të ri reformash për të forcuar sundimin e ligjit, mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin. Këto reforma sipas kryeministrit do të përshpejtonin rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin europian.

Reagime në Tiranë nga diplomatët mbi nismat e Ramës për reformat kundër korrupsionit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Ambasada amerikane në një deklaratë të saj foli për një “propozim premtues”, ndërsa nënvizoi se “si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme, ndërsa bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike”.

Socialistët propozojnë krijimin e një Komisioni të Posaçëm parlamentar, të ngjashëm me atë që u ngrit 10 vjet më parë për Reformën në Drejtësi. Kryeministri Edi Rama bëri thirrje opozitës që palët të lënë dallimet e forta politike e “të krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një vend pune të përbashkët, me aleatët tanë strategjik Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo dallimet tona të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë”.

Ambasada amerikane në deklaratën e saj thotë se “nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”.

Gjatë ditës, dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian, Silvio Gonzato, tha se kishte dëgjuar fjalimin e kryeministrit Rama “i cili duket se dëshiron të nisë një debat të ri kombëtar për luftën kundër korrupsionit. Mendoj se është diçka që ia vlen të shikohet dhe diçka që ne do ta shikojmë me interes, nëse është një mënyrë për të nxitur shoqërinë, jo vetëm shtetin, por është një transformim shoqëror që duhet të ndryshojë mendësinë, që është kyç për procesin e zgjerimit”.

Kryetari i Partisë demokratike Zyrtare Lulzim Basha, e konsideroi dje propozimin e zotit Rama një "retorikë boshe", duke e akuzuar atë si përgjegjësin kryesor të përhapjes së korrupsionit në vend. Sot dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, i cili tanimë përfaqëson grupimin e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha. Zoti Bardhi u shpreh se “çdo reformë apo nismë që krijon mundësinë për të çuar përpara integrimin europian të vendit, do të ketë kontributin tonë”. Por sipas tij "me Edi Ramën kryeministër dhe qeverinë e tij të korruptuar ky proces vetëm sa vështirësohet, pengohet e zgjatet”. Zoti Bardhi nuk dha ndonjë përgjigje të prerë nëse deputetët e grupit të tij do të bëheshin pjesë ose e jo e Komisionit te Posaçm të propozuar nga socialistët, duke theksuar se “grupi do të ketë qëndrim kur propozimi të bëhet pjesë e procedurave parlamentare”.

XS
SM
MD
LG