Lidhje

Protesta e gjashtë kundër Erion Veliajt, mjete shpërthyese drejt bashkisë së Tiranës


Në Tiranë u zhvillua një tjetër protestë, ku u kërkua dorëheqja e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas arrestimit nga SPAK-u të disa drejtorëve dhe ish-drejtorëve nën dyshimet për aferat korruptive.

Kjo është protesta e gjashtë e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ku morën pjesë protestues dhe deputetë opozitarë, si dhe anëtarë të këshillit bashkiak të kryeqytetit nga opozita.

Disa prej protestuesve hodhën mbi dyert dhe muret e bashkisë shishe me lëndë djegëse dhe sende të tjera, ngjashëm me protesta të mëparshme.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit arrestoi në dhjetor drejtorin e punëve publike në bashki, Taulant Tusha, për çështjen e inceneratorit, ndërsa në mars arrestoi ish drejtuesin e IMT-së, Maringlen Qato, dhe ish drejtuesin e UKT-së, Redi Molla, lidhur me aferën nën hetim të Shoqërisë '5D Construksion'.

Sipas SPAK-ut kjo shoqëri ka fituar një seri tenderash dhe prokurimesh nga agjencitë në varësi të bashkisë dhe nga Ujësjellësi i kryeqytetit në mënyrë të parregullt përmes favorizimeve dhe privilegjeve të padrejta.

Kryebashkiaku Veliaj u thirr nga SPAK-u një javë më parë, si person që ka dijeni për çështjen, në vazhdën e hetimeve që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës. Opozita e cilëson atë si person kyç në rastin e inceneratorit të Tiranës dhe e ka vendosur në qendër të akuzave.

Zoti Veliaj është distancuar nga ndihmësit e tij të arrestuar, duke theksuar se përgjegjësitë para drejtësisë janë personale dhe se ai nuk ka firmosur asnjë dokument, që ka shkaktuar shpërdorim të fondeve publike.

XS
SM
MD
LG