Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se qeveria e tij kishte vendosur "njëzëri" të mbyllte zyrat lokale të kanalit Al Jazeera me bazë në Katar, një nga të mediat e pakta, që ende kanë zyra operacionale në Rripin e Gazës.
Rrjeti Al Jazeera, që ndërpreu transmetimet në Izrael menjëherë pas njoftimit, e dënoi vendimin e qeverisë izraelite, duke e quajtur atë një "vepër kriminale".
Më poshtë mund të lexoni një shpjegim mbi gjigantin mediatik arab, me të cilin qeveria e kryemnistrit Netanyahu ka patur një mosmarrëveshje të gjatë, që filloi shumë kohë përpara shpërthimit të luftës Izrael-Hamas në Gazë më 7 tetor.
Fondacioni
Al Jazeera u themelua në Doha në vitin 1996 me një dekret të lëshuar nga ish-emiri i Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani.
Ndonëse theksonte se kanali duhet të jetë "plotësisht i pavarur nga të gjitha ndikimet", dekreti parashikonte gjithashtu një hua prej 150 milionë dollarësh nga qeveria për "ngritjen e tij dhe mbulimin e kostos së funksionimit për pesë vjet".
Megjithëse Rrjeti Mediatik Al Jazeera është një biznes privat, ai ka vazhduar të marrë fonde nga qeveria e Katarit, të cilat kritikët e tij shpesh i citojnë kur vënë në dyshim pavarësinë e tij nga Doha.
Ky kanal u shfaq menjëherë si një rival i gjigantëve të medias ndërkombëtare, por etiketimi si "kanali i parë i pavarur i lajmeve në botën arabe" shkaktoi një sërë mosmarrëveshjesh ligjore në rajon në vitet e para të funksionimit të tij.
Shtrirja globale
Rrjeti arab thotë se operon në 95 vende me 70 zyra, ka 3 tre mijë punonjës dhe një audiencë globale prej 430 milionë familjesh.
Al Jazeera fillimisht ofronte programe lajmesh vetëm në arabisht, por në vitin 2006, kanali filloi transmetimet edhe në gjuhën angleze.
Al Jazeera dhe Al Jazeera në gjuhën angleze, kanalet kryesore të rrjetit, kanë redaksi të veçanta, dhe emsionet në gjuhën arabe përballen më shpesh me kritika nga brenda rajonit.
Rrjeti përfshin gjithashtu një kanal të drejtpërdrejtë të marrëdhënieve me publikun, Al Jazeera Mubasher, dhe kanalin e tij të vetëm dixhital AJ+, i cili transmeton emisione për të rinjtë.
Pranvera Arabe
Kur një valë kryengritjesh popullore përfshiu Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në vitin 2011, Al Jazeera u pa si një kanal me ndikim të rëndësishëm në opinionin publik sepse u dha kohë transmetimi të pashembullt grupeve opozitare, veçanërisht Vëllazërisë Myslimane.
Rrjeti ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo akuzë për paragjykim apo anshmëri në mbulimin e ngjarjeve.
Al Jazeera u përball me presion nga qeveritë në të gjithë rajonin dhe ishte në qendër të një mosmarrrëveshjeje mes Kajros dhe Dohas pas përmbysjes ushtarake të presidentit të Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, Mohamed Morsi, në vitin 2013.
Kajro e konsideroi atë një zëdhënës të lëvizjes islamike të zotit Morsi dhe autoritetet egjiptiane arrestuan tre gazetarë të kanalit Al Jazeera, duke përfshirë australianin Peter Greste. Arrestimi i gazetarëve shkaktoi reagime të ashpra ndërkombëtare.
Bllokada ndaj Katarit
Në vitin 2017, fqinjët e Katarit, të udhëhequr nga Arabia Saudite, vendosën një bllokadë diplomatike dhe ekonomike trevjeçare ndaj monarkisë së Gjirit.
Përveç kërkesës së Katarit për të ndërprerë lidhjet me Vëllazërinë Myslimane dhe Hamasin, dhe uljen e nivelit të marrëdhënieve me Iranin, vendet fqinje i kërkuan Katarit edhe mbylljen e rrjetit Al Jazeera dhe të gjitha filialeve të tij.
Drejtuesit e rrjetit Al Jazeera e quajtën presionin një përpjekje për të "kufizuar lirinë e shprehjes".
Lufta Izrael-Hamas
Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës më 7 tetor, Al Jazeera ka transmetuar vazhdimisht pamje dhe raportime nga terreni të ofensivës izraelite atje.
Transmetimet e këtij rrjeti kanë qenë ndër më të ndjekurat në Lindjen e Mesme mes zhgënjimit të përhapur me mbulimin e mediave perëndimore.
Muajin e kaluar, kryemnistri Netanyahu e quajti rrjetin Al Jazeera një "kanal terrorist", duke thënë se ai do të "vepronte menjëherë" për të ndaluar aktivitetet e saj pas miratimit të një ligji të ri.
Në atë kohë, rrjeti arab i lajmeve e quajti propozimin për ndalimin e transmetimeve "pjesë të një vale sulmesh sistematike izraelite për të heshtur kanalin Al Jazeera", që përfshinte vrasjen e gazetarit të saj më të shquar në rajon, Shireen Abu Akleh, ndërsa ai po mbulonte një operacion izraelit në Bregun Perëndimor në maj të vitit 2022.
Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, zyra e rrjetit Al Jazeera në Rripin e Gazës është bombarduar dhe dy nga korrespondentët e saj janë vrarë.
Në janar, Izraeli tha se një gazetar i rrjetit Al Jazeera dhe një gazetar tjetër i pavarur i vrarë në një sulm ajror në Gaza ishin "operativë terroristë".
Një muaj më vonë, Izraeli akuzoi një gazetar tjetër të rrjetit Al Jazeera, i cili u plagos në një sulm tjetër izraelit, se ishte "zëvendës komandant i një nënreparti ushtarak" të Hamasit.
Al Jazeera i ka mohuar akuzat e Izraelit dhe e ka akuzuar atë për vënie në shënjestër të punonjësve të rrjetit Al Jazeera në Rripin e Gazës.
Shefi i zyrës së saj në Gazë, Wael al-Dahdouh, u plagos në një sulm izraelit në dhjetor, në të cilin u vra një kameraman i rrjetit Al Jazeera.
Bashkëshortja e tij, dy fëmijë të tyre dhe një nip u vranë në bombardimet ndaj kampi të refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore në tetor.
Djali i tij i madh ishte gazetari i rrjetit Al Jazeera-s, i cili vra në janar gjatë një sulmi, që kishte në shënjestër një makinë në Rafah.